Lufta kundër krizës energjetike dhe të çmimeve: Masat qeveritare, qëndrueshmëria fiskale dhe reformat në financat publike

Shpërndaje

Krizat e ndryshme kërkojnë zgjidhje të ndryshme. Reagimi më i duhur është gjithmonë ai që do të japë rezultate më të mira në periudhë afatgjate, ndërsa politikat e “sotme”, duhet të kenë gjithmonë parasysh “të nesërmen”. Kjo është rruga e duhur për tejkalimin e një krize.

Kështu e filloj këtë kolumnë që do t’ia dedikoj luftës kundër krizës aktuale dhe masave që ndërmerren për luftimin e efekteve të saj. Pakoja e re e masave është vetëm një pjesë e pakos së politikave ekonomike që zbatohen me qëllim të ruajtjes së stabilitetit social dhe ekonomik. Përmes këtij teksti do të përpiqem të jap tablo të përgjithshme të asaj që është bërë dhe asaj që do vijojë më tej.

Gjatë tre viteve të fundit, bota u përball me disa kriza të njëpasnjëshme. Si rezultat i faktorëve joekonomikë – pandemia, ndryshimet klimatike dhe lufta në Ukrainë, bota përballet me krizën më të madhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore. Së pari, pandemia shkaktoi rënie të madhe të aktivitetit ekonomik. Më tej, me rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik, u krijuan ngecje në anën e ofertës, veçanërisht tek energjensat, duke shkaktuar presione globale mbi çmimet. Lufta në Ukrainë nxiti më tej krizën energjetike dhe inflacionin. Çmimi i energjensave, ndikimi i çmimeve të importit mbi çmimet e brendshme dhe pritshmëritë inflacioniste do të jenë sfidat më të mëdha në periudhën e ardhshme.

Pandeminë e tejkaluam, por përballemi me kriza të reja që kërkojnë reagime tjera

Reagimi i politikës fiskale ndaj efekteve të pandemisë në ekonomi ishte i fuqishëm. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik u stimulua nga nxitja e konsumit publik dhe privat. Në koordinim me politikën monetare, u ndërmorën veprime për rritjen e likuiditetit në ekonomi. Nëpërmjet gjashtë pakove të masave antikrizë në vlerë prej 1.2 miliardë eurove, Qeveria i përkrahu kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, kompanitë e prekura nga kriza dhe vendet e punës. Prandaj, depërtoi kapital i ri nga jashtë vendit, çmimi i të cilit gjatë pandemisë ishte në nivel historikisht më të ulët, për shkak të politikës së ngadalësuar monetare të bankave qendrore. Por, kjo reflektoi edhe në rritjen e borxhit publik me dhjetë pikë përqindjeje, siç ishte rasti me të gjitha vendet në zhvillim. Por strategjia në tërësi dha rezultate dhe rënia u zbut dukshëm. Një vit më pas, ekonomia vijoi të rimëkëmbet dhe arriti rritje prej 4%.

Tani ballafaqohemi me sfida të ndryshme. Efektet fillestare të pandemisë u tejkaluan, por rikuperimi i pabarabartë i ofertës dhe kërkesës krijoi ngecje në zinxhirët globalë të furnizimit. Si rezultat i kësaj, u shfaqën presione më të theksuara në çmime, para së gjithash tek energjensat dhe produktet e tjera primare. Me fillimin e luftës në Ukrainë, në muajin shkurt të këtij viti si dhe sanksionet nga Rusia dhe kundër saj, këto presione të çmimeve u bënë edhe më të theksuara, duke marrë parasysh rolin e Rusisë dhe Ukrainës në zinxhirët globalë të furnizimit (kryesisht energjensat dhe drithërat).

Çmime historikisht më të larta të energjensave dhe ushqimeve, inflacioni dhe deficiti tregtar

Çmimet e naftës, gazit dhe energjisë elektrike arritën në nivelet historikisht më të larta. Çmimi i gazit natyror kishte rritje të madhe nga gjysma e dytë e vitit 2021 dhe më tej në vitin 2022. Kështu, në vitin 2021 në Evropë, çmimi mesatar i gazit u rrit për 370% krahasuar me vitin 2020. Në periudhën janar-gusht 2022, çmimi mesatar i gazit natyror në Evropë arriti në 1.389,5$/1000 m3, që është rritje prej 143.7% krahasuar me mesataren e vitit 2021. Në muajin gusht, çmimi i gazit arriti në 2.478.2$/1000 m3. Si pasojë u rrit edhe çmimi i energjisë elektrike. Në periudhën janar – gusht 2022, çmimi mesatar i energjisë elektrike është 272.7 EUR/MWh, që është 139.4% më i lartë se çmimi mesatar i vitit 2021. Gjatë muajit shtator, çmimi mesatar i energjisë elektrike është rreth 390 euro/MWh, që paraqet rënie krahasuar me muajin gusht të vitit 2022, kur çmimi mesatar arriti në 495 euro/MWh.

Gjithashtu, çmimet e ushqimeve, veçanërisht drithërave, janë në nivel historikisht më të lartë në suaza botërore në 22 vitet e fundit, sipas të dhënave të FMN-së dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO). Çmimi mesatar i misrit në vitin 2021 ishte për 56.9% më i lartë se në vitin 2020, ndërsa në muajin gusht të këtij viti, çmimi mesatar ishte 22.6% më i lartë se në vitin 2021. Çmimi i grurit në vitin 2021 shënoi rritje prej 23.7% krahasuar me vitin 2020, dhe çmimi mesatar në periudhën janar-korrik 2022 është për 35.6% më i lartë se mesatarja e vitit 2021. Pas niveleve historike në periudhën mars-maj, çmimi i grurit shënoi rënie në muajin qershor dhe korrik 2022. Çmimi i vajit të lulediellit në vitin 2021 ishte më i lartë për 59.4% krahasuar me vitin 2020, ndërsa në periudhën janar-gusht 2022 çmimi mesatar ishte 1.820.6 dollarë për ton që paraqet rritje shtesë prej 29.7% krahasuar me vitin 2021. Gjatë muajit mars, çmimi arriti në 2.361.1 dollarë, që paraqet nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, ndërsa në muajin gusht pati rënie në 1.496.2 dollarë. Çmimet e mishit të viçit dhe të pulës u rritën edhe në bursat botërore.

Si ekonomi e vogël dhe e hapur, ne jemi jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve globale. Para së gjithash, këtu vërehet ndikimi i çmimeve të importit në çmimet e brendshme të produkteve dhe shërbimeve, që rezultoi me përshpejtimin e inflacionit nga fillimi i vitit përfshirë muajin gusht për 11.6% në nivel vjetor. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, derivateve të naftës dhe energjisë elektrike përfshijnë 73% të rritjes së inflacionit gjatë kësaj periudhe. Inflacioni bazë, respektivisht kur përjashtohen komponentët e paqëndrueshëm – ushqimi dhe energjensat – shënoi rritje prej 5.9% gjatë tetë muajve të parë të vitit 2022.

Gjithashtu, zhvillimet botërore reflektuan në deficitin tregtar dhe gjendjen rrjedhëse, para së gjithash në rritjen e çmimeve në bursat botërore. Pothuajse 70% e nevojave për energji elektrike plotësohen nga kapacitetet e prodhimeve vendase dhe rreth 30% importohen. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, vlera e importit neto të energjisë elektrike në vitin 2021 është më e lartë për 126.5 milionë euro, respektivisht për 114.4% krahasuar me vitin 2020. Rritja e vlerës së importit neto ishte kryesisht nga rritja e çmimit të energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar, duke pasur parasysh se sasia e energjisë elektrike të importuar në këtë periudhë u rrit vetëm për 6.5%. Kjo bëhet më e theksuar nëpërmjet të dhënave të vitit 2022, kur në muajin korrik importi arriti në 351 milionë euro, që paraqet rritje prej 220% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, në rrethanat kur sasia e energjisë së importuar neto shënonte rënie për rreth 22%. Situatë të njëjtë kemi me importin e naftës dhe produkteve të naftës, me rritjen e vlerës së importit për 62.5% në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020, në rrethanat e rritjes së sasisë së importit neto për 5.5% ndërsa në shtatë muajt e parë të vitit 2022, vlera e importit neto të naftës u rrit për 119% krahasuar me vitin 2021, ndërsa rritja e sasisë së importit neto ishte vetëm 9.4%. Si rezultat i kësaj, gjatë vitit 2021 dhe 2022, deficiti tregtar u zgjerua dukshëm, duke shënuar norma të larta të rritjes.

Që nga fillimi i vitit, ekonomia jonë vazhdoi të rimëkëmbet, me rritje në gjysmëvjetorin e parë prej 2.6%. Megjithatë, kërcënime shtesë, përveç atyre që u theksuan më sipër, janë: vigjilenca më e madhe e pritshme e konsumatorëve dhe investitorëve, ndikimi i çmimit të energjensave në kapacitetet prodhuese dhe efektet në eksport.

Këtu vijon ekuacioni i politikave të zbatuara nga Qeveria në këtë krizë specifike. Nga njëra anë, duhet të ruhet aktiviteti ekonomik në zonën pozitive, siç është stabiliteti social dhe nga ana tjetër, duhet të ruhet stabiliteti makroekonomik, nga aspekti i borxhit dhe inflacionit, respektivisht, siç thotë thënia popullore, “të mos i hedhim benzinë zjarrit”.

Masat e targetuara – reagimi më i duhur

Disa muaj më parë, në kolumnën paraprake, sqarova lidhur me projektimin e masave në rrethana të tilla specifike. Rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke analizuar situatën aktuale në botë (meqë ra fjala, në periudhën e potencuar nuk kishim eskalim të situatës në atë masë), rekomandimet janë që të lejohen fuqitë e tregut të veprojnë mbi ofertën dhe kërkesën, me përkrahje të kategorive më të ndjeshme. Sinjalet e çmimeve janë kyçe për të reaguar në mënyrë konkrete ndaj kërkesës dhe me këtë edhe për fillimin e stabilizimit. Si shembull kemi edhe energjinë e cila në periudhë afatshkurtër është joelastike, por në periudhë afatmesme bëhet elastike, përkatësisht me rritjen e çmimeve kërkesa mund të ulet. Me kalimin e kohës, si rezultat i uljes së kërkesës, çmimi do të stabilizohet.

FMN-ja rekomandon masa të targetuara, të cilat i referohen kategorive më të ndjeshme të qytetarëve që kanë nevojë për përkrahje në drejtim të ruajtjes së stabilitetit social gjatë krizës. Rekomandim të ngjashëm për politikën fiskale jep edhe Këshilli i BE-së, i cili në deklaratën e fundit të muajit tetor thekson se politika fiskale duhet të reagojë ndaj krizës energjetike dhe presioneve inflacioniste. Këshilli saktëson se reagimi duhet të orientohet drejt përkrahjes së kategorive të ndjeshme të qytetarëve dhe bizneseve, masat e orientuara drejt të hyrave duhet të jenë përjashtime, të përkohshme dhe të destinohen për ata që kanë më shumë nevojë.

Më tej, ata theksojnë se duhet bërë përpjekje në drejtim të reduktimit të konsumit të energjisë, efikasitetit energjetik, burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe politikave të tjera që nuk do t’i çrtegullojnë lidhjet e tregut në periudhë afatgjate. Ata theksojnë gjithashtu se politika fiskale duhet t’i shmangë masat dhe aktivitetet që do të shtojnë presionet inflacioniste dhe se potenciali për rritje duhet zhvillohet me kujdes, pa penguar objektivat e politikës monetare për stabilizimin e inflacionit në periudhë afatmesme. Gjithashtu, rekomandojnë se se përkrahja e gjerë e kërkesës agregate (siç ishte gjatë pandemisë) përmes politikave fiskale, tashmë nuk justifikohet.

Gjithashtu, rekomandimet e organizatave financiare ndërkombëtare, si FMN-ja dhe Banka Botërore, janë në drejtim të qëndrueshmërisë fiskale. Duke qenë se borxhi publik gjatë pandemisë është rritur dukshëm në shumicën e ekonomive në zhvillim, rekomandimi vijon të jetë konsolidimi gradual fiskal.

Politikat ekonomike të drejtuara nga kjo Qeveri janë vigjilente dhe analitike. Çdo hap që hedhim në luftën kundër kësaj krize ekonomike globale është i mirëmenduar – efektet e saj aktuale, por edhe pasojat e saj afatmesme dhe afatgjata.

Në kohë krize, me një numër të madh të palëve të involvuara, pritet të haset në rezistencë dhe indinjatë për disa hapa të ndërmarrura të parakohshme dhe jo të duhura. Por, duhet të merret parasysh edhe fakti se kjo është situatë jashtëzakonisht komplekse dhe se gjithmonë kërkohet zgjidhja më optimale që do të kontribuojë në zgjidhjen e krizës në përgjithësi.

Tre komponentët e luftës kundër krizës aktuale

Lufta jonë kundër krizës përbëhet nga tre komponentë. Së pari, ballafaqimi i vazhdueshëm i krizës dhe mbrojtja e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe kompanive. Së dyti, sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale dhe me këtë edhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik. Së treti, zbatimi i reformave dhe krijimi i sistemit të ri dhe më të mirë të financave publike, i cili pas rimëkëmbjes së ekonomisë do të kontribuojë në rritjen e përshpejtuar ekonomike.

Që nga fillimi i krizës energjetike dhe të çmimeve, Qeveria jonë reagoi fuqishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku sipas vlerësimeve të Grupacionit të Bankës Botërore paraqet rreth 5% e PBB-së. Bëhet fjalë për përkrahje në formën e subvencioneve, mbrojtjes sociale, lirimeve tatimore dhe përkrahje të kompanive vendase energjetike. Për krahasim, në Serbi është 2.5% e PBB-së, në Kosovë me rreth 2.1%, në Shqipëri 1.4%, në Bosnjë dhe Hercegovinë 0.5% dhe në Mal të Zi 0.1%.

Përveç kësaj, në fillim të luftës në Ukrainë, reaguam më fuqishëm, sepse ekzistonte rreziku i përshpejtimit të madh të inflacionit. Vlera e pakos së masave të muajit mars për ballafaqimin e krizës energjetike dhe të çmimeve ishte rreth 400 milionë euro për përkrahje direkte të qytetarëve për përmirësimin e standardit të jetesës dhe përkrahjen e ekonomisë dhe kompanive. Masat për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike (nga 18% në 5%) dhe për produktet ushqimore bazë (nga 5% në 0%) ndikuan në uljen e inflacionit për rreth 3 pikë përqindjeje, me ç’rast norma e inflacionit për periudhën janar – qershor 2022 është 10% në vend se 13% (aq sa do të ishte po të mos ishin këto masa). Njëkohësisht, një pjesë e masave, të cilat i referohen lirimeve tatimore dhe kredive të lira për kompanitë nga kjo pako, u vazhduan më tej, respektivisht deri në fund të vitit.

Qeveria siguroi edhe transferta në EMV për zbutjen e efekteve të rritjes së çmimit të tregut të energjisë elektrike, respektivisht në tregun e rregulluar tani paguhet vetëm 20% e çmimit real të tregut.

Krahas rishikimit të Buxhetit për vitin 2023, u miratuan edhe masa të reja, që ishin më të targetuara në krahasim me pakon e muajit mars. Respektivisht, me anë të rishikimit u rrit ndihma minimale e garantuar sociale për të drejtat e mbrojtjes sociale, për 36.000 amvisëri. Mandej, siguruam 73 milionë euro shtesë për rritjen e pensioneve të mbi 330.000 pensionistëve. Siguruam mjete shtesë prej 17.5 milionë eurove për subvencione, kontribute, rritjen e pagave në sektorin privat. Siguruam 52 milionë euro mjete shtesë për subvencione dhe transferta për bujqit, në drejtim të ballafaqimit më të lehtë të krizës së furnizimit me ushqime. U siguruan mjete shtesë edhe për transferta tek kompanitë energjetike për ta ruajtur nivelin e çmimit të energjisë elektrike në nivele më të ulëta.

Me pakon e fundit të masave të muajit tetor që Qeveria prezantoi gjatë javës, me vlerë prej rreth 360 milionë eurove, sërish vijojmë me masa të targetuara për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, përkrahje të targetuar për institucionet publike dhe shëndetësore, përkrahje për likuiditetin e kompanive dhe investimet në efikasitetin energjetik dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë, në mënyrë që të ofrohen rezultate sa më optimale.

Përkrahja financiare parashihet për rreth 42 mijë shfrytëzues së sigurimit social, persona që shfrytëzojnë të drejtën e aftësisë së kufizuar, prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në moshën 26 vjeç që shfrytëzojnë të drejtën e shtesës së veçantë, persona me aftësi të kufizuara që shfrytëzojnë të drejtën për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër, ndërsa nuk e shfrytëzojnë të drejtën për shkak të aftësisë së kufizuar, prindër të vetëm – shfrytëzues së ndihmës minimale të garantuar, persona të papunësuar – shfrytëzues së të drejtës për sigurim material në formën e kompensimit financiar (punëtorë të falimentuar). Ata do të marrin katër herë nga 3000 denarë në muaj, respektivisht gjithsej 200 euro përkrahje financiare ballafaqim më të lehtë të krizës.

Shtesa financiare parashihen edhe për shfrytëzuesit e pensioneve më të ulëta, ata që marrin më pak se 11.500 denarë në muaj do të marrin gjithsej 100 euro dhe ata me 11.500-14.000 denarë do të marrin 50 euro. Bëhet fjalë për 160 mijë shfrytëzues së pensioneve.

Në kuadër të masave për përkrahjen e kompanive, parashihet zgjerimi i fushëveprimit të kompanive që janë shfrytëzues së skemës garantuese nga Fondi Garantues i Bankës Zhvillimore, nëpërmjet lehtësimit të kritereve të aplikimit. Gjithashtu, parashihet linja kreditore direkte për përkrahjen e likuiditetit të shoqërive tregtare mikro, të vogla dhe të mesme, tregtarëve individë dhe zejtarëve të veprimtarisë prodhuese. Do të përshpejtohet dhe rritet kthimi i TVSH-së, i korrigjuar për efektin e inflacionit dhe rritjes reale dhe do të vazhdojë masa nëpërmjet Bankës Zhvillimore dhe bankave komerciale për kreditimin e projekteve të efikasitetit energjetik dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe do të ndihmohet në drejtim të shërbimeve konsultative për realizimin e projekteve.

Vazhdon edhe subvencionimi i kompanive energjetike për ruajtjen e nivelit të çmimit të energjisë elektrike më të ulët se çmimi i tregut, gjithashtu edhe shkollat fillore dhe të mesme përfshihen në tregun e rregulluar, ndërsa institucioneve shëndetësore do t’u shitet rryma elektrike me çmim më të ulët se çmimi i tregut.

Vazhdojnë edhe një pjesë e masave të miratuara me pakon e masave antikrizë të muajit mars. Zbatimi i normës preferenciale tatimore të TVSH-së prej 5% për qarkullimin e energjisë elektrike për amvisëritë do të zgjasë deri në fund të vitit. Përkrahja e drejtpërdrejtë financiare për konsumatorët e kategorive më të ndjeshme të energjisë elektrike (Programi lidhur me varfërinë energjetike).

Lirimi nga pagimi i TVSH-së për importin e gazit natyror dhe energjisë elektrike, energjisë termike, energjisë për ngrohje apo ftohje do të vazhdojë deri në fund të vitit. Gjithashtu, vazhdon të jetë në dispozicion edhe linja kreditore e tranzicionit nëpërmjet Bankës Zhvillimore.

Plani i miratuar nga Qeveria: Konsolidimi fiskal për qëndrueshmëri fiskale

Krahas pakos së masave për përkrahjen e kompanive dhe kategorive më të ndjeshme të qytetarëve, Qeveria ndërmori masa edhe në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik. Këtu dua të përmend Planin e qëndrueshmërisë fiskale, i cili u miratua gjatë kësaj jave nga Qeveria për shfrytëzuesit e buxhetit, krahas pakos së masave.

Plani përfshin konsolidimin e kostove të pagave nëpërmjet racionalizimit dhe optimizimit të të punësuarve në sektorin publik bazuar në analizën funksionale, si dhe riorganizimin e mënyrës së kryerjes së detyrave të punës në varësi të natyrës së tyre dhe punën nga shtëpia deri në 30% të të punësuarve, me rotacion, pa ndërprerë funksionimin e rregullt të institucionit.

Gjithashtu, parashihet konsolidimi i shpenzimeve për mallra dhe shërbime, nëpërmjet kursimit të shpenzimeve të zhdrejta dhe të udhëtimit dhe furnizimeve të zyrës. Parashihen edhe mekanizma për realizimin e shpenzimeve kapitale, përfshirë mekanizmin CAPEF, i cili deri më tani ka treguar rezultate të mira.

Njëkohësisht, do të vijojë puna për përmirësimin e arkëtimit të detyrimeve përmes avancimit të mëtejshëm të rregullativës tatimore në drejtim të optimizimit të sistemit tatimor, si dhe përforcimit të kapaciteteve për mbledhjen e të hyrave publike dhe për përshpejtimin e arkëtimit të të hyrrave nga debitorët tatimorë dhe doganorë.

Do të punohet në drejtim të përmirësimit të efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit të arkëtimit të të hyrave nga akciza, përmes zhvillimit të politikave, sistemeve, procedurave dhe instrumenteve për kontroll dhe arkëtim efikas të të hyrave, avancim të mëtejshëm të sistemit pa letër për menaxhimin e dokumenteve të akcizës dhe rritjes së efikasitetit të kontrollit të akcizës nëpërmjet vendosjes së kontrollit të mallrave të akcizës me rrezikshmëri të lartë, si dhe nëpërmjet intensifikimit të bashkëpunimit me agjencitë relevante në vendet e BE-së dhe institucionet ndërkombëtare.

Gjithashtu, përforcohen aktivitetet për parandalimin e evazionit tatimor, si dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik për pasojat e dëmshme të ekonomisë gri dhe forcimi i moralit tatimor.

Për reformat në menaxhimin e financave publike, kam shkruar edhe më parë, para së gjithash për Ligjin e ri të Buxheteve dhe do të vazhdoj të shkruaj më gjerësisht edhe më tej në kolumnat vijuese.

“Luftë” në rrafshe të ndryshme

Së fundi, dua të theksoj se duhet të kemi parasysh se këtë betejë e luftojmë në shumë fronte dhe se çdo aksion që ndërmarrim ka ndikim në rrafshe të ndryshme. Tentojmë ta tejkalojmë këtë krizë në mënyrën më optimale, me sa më pak pasoja për të gjithë. Dhe besoj se kështu do t’ia dalim mbanë, ashtu siç e përballuam me sukses krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia, vlerësuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Me maturi dhe perspektivë të gjerë, si dhe me përgjegjësi të të gjithë pjesëmarrësve shoqërorë (palët e tanguara), do ta tejkalojmë këtë sfidë. Të gjithë së bashku do ta lëmë pas edhe këtë krizë dhe përfundimi i saj, do të varet sërish nga të gjithë ne.

Fatmir Besimi, ministër i Financave