Erdoğan: Kushtetuta e re e vendit, ndër synimet e vizionit tonë të “Shekullit të Türkiye-s”
Presidenti i Republikës së Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, tha se me vizionin e “Shekullit të Türkiye-s” duan të fillojnë fuqishëm shekullin e ri të Republikës në një kohë kur bota po përballet me sfida jetike, raporton Anadolu Agency (AA).
Në sallën e sporteve në Ankara, në prezantimin e vizionit “Shekulli i Türkiye-s”, i cili është një dokument i ri i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), presidenti Erdoğan theksoi se vitin e ardhshëm Türkiye do të festojë 100 vjetorin e themelimit të Republikës dhe kujtoi të gjitha sulmet që pësoi populli turk gjatë një pranie mijëvjeçare në tokën e Anadollit.
“Si AK Parti ne morëm përgjegjësinë në Türkiye në nëntor të vitit 2002 falë popullit tonë. Sigurisht që ka pasur punë të mira që kanë filluar në 80 vitet e para të Republikës sonë. Por, pozita në të cilën ishim, ishte shumë më poshtë se sa pozita ku duhej të ishim. Me këtë mirëkuptim, ne kemi punuar me vendosmëri dhe pa u lodhur për 20 vitet e fundit për zhvillimin, forcimin dhe pasurimin në çdo fushë”, tha Erdoğan.
Presidenti Erdoğan tha se në dy dekadat e fundit, vendi ka bërë përparim të madh në demokraci, ekonomi dhe ka shkaktuar admirim në mbarë botën me megaprojektet e tij në të gjitha fushat, veçanërisht në infrastrukturë dhe industrinë e mbrojtjes.
Duke theksuar se bota po përballet me sfida të mëdha, Erdoğan tha se me dokumentin e ri të vizionit “Shekulli i Türkiye-s”, vendi dëshiron të fillojë fuqishëm shekullin e ri të Republikës. Ai shtoi se thelbi i atij vizioni është prodhimi dhe zhvillimi vendas.
“Miratimi i një Kushtetute të re, produkt i vullnetit kombëtar, është një nga qëllimet e para të vizionit tonë të Türkiye-s në Shekullin e Dytë,” tha Erdoğan, duke shtuar se udhëheqësia e vendit është e vendosur të përgatisë një draft të Kushtetutës së re në një mënyrë që korrespondon me vizionin dhe ta zbatojë atë me miratimin e parlamentit dhe kombit.
Erdoğan paralajmëroi vazhdimin e përparimit dhe zhvillimit të Türkiye-s në vazhdën e asaj që është bërë në dy dekadat e fundit dhe që e ka vendosur vendin si një aktor të rëndësishëm global.
“Me vizionin e ‘Shekullit të Türkiye-s’, ne do ta bëjmë vendin tonë një nga 10 vendet më të mëdha në botë në të gjitha fushat, përfshirë politikën, ekonominë, teknologjinë, ushtrinë dhe diplomacinë”, tha Erdoğan.
Presidenti turk tha se vizioni i “Shekullit të Türkiye-s” përfaqëson vizionin e rinisë, zhvillimit, prodhimit vendas, teknologjisë, forcimit të demokracisë dhe pozitës së vendit në botë.
“Ne po ndajmë me gjithë njerëzimin lajmin e mirë që ‘Shekulli i Türkiye-s’ është gjithashtu emri i revolucionit që do të sjellë demokraci, zhvillim, paqe dhe prosperitet në të gjitha pjesët e botës”, tha Erdoğan.
Më tej ai tha se vizioni sjell një politikë uniteti në vend të politikës identitare, një politikë integrimi në vend të polarizimit, një politikë përqafimi në vend të mohimit.
Duke paralajmëruar shfrytëzimin e afërt të gazit turk të sapo zbuluar në Detin e Zi, Erdoğan tha se negociatat me Rusinë për ta bërë Türkiye-n një qendër për shpërndarjen e gazit rus po ecin në drejtimin e duhur.
“Ne do të krijojmë rregullore që do të garantojnë të drejtën, ligjin dhe të ardhmen e çdo individi, pa asnjë diskriminim, veçanërisht për shkak të origjinës dhe besimit. Ne do të vazhdojmë me projekte të reja për Türkiye-n, ku i gjithë populli ynë do të shikojë drejt të ardhmes me besim”, tha Erdoğan.
Duke theksuar se Türkiye është një vend që duke vendosur marrëdhënie me të gjitha palët, kontribuon konkretisht në zgjidhjen e krizave në rajon, Erdoğan tha se me operacionet antiterroriste, Türkiye pengoi formimin e një korridori terrorist përgjatë kufirit me Sirinë.
“Türkiye ka siguruar kthimin vullnetar të rreth 530 mijë njerëzve në zonat e sigurta në Siri”, tha Erdoğan.