BE-ja thirrje Rusisë të tërhiqet nga vendimi mbi pezullimin e marrëveshjes për drithin
Bashkimi Evropian (BE) i bëri thirrje Rusisë që të heqë dorë nga vendimi i saj për t’u tërhequr nga marrëveshja e Iniciativës për Drithin në Detin e Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell bëri një postim nga llogaria e tij në median sociale lidhur me vendimin e Rusisë për të pezulluar marrëveshjen që siguron dërgimin e drithit nga Ukraina.
“Vendimi i Rusisë për të pezulluar pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e Detit të Zi vendos në rrezik rrugën kryesore të eksportit të drithërave dhe plehrave për të cilat ka nevojë kundër krizës globale të shkaktuar nga lufta”, ka thënë Borrell duke shtuar se “BE-ja i bën thirrje Rusisë të tërheqë vendimin e saj”.
– Procesi
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë dje njoftoi se Ukraina kreu sulm kundër anijeve luftarake ruse dhe anijeve civile që ndodheshin në qytetin Sivastopol në Krimenë e aneksuar.
Më tej në deklaratë thuhet se në sulm u përdorën shumë mjete ajrore pa pilot dhe se këto u neutralizuan të gjitha dhe se anijet e Flotës së Detit të Zi që u sulmuan ishin të përfshira në procesin e garantimit të sigurisë për korridorin e formuar në kuadër të marrëveshjes së drithit.
“Kievi me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë ka kryer akt terrorist ndaj anijeve të Flotës së Detit të Zi dhe anijeve civile të përfshira në garantimin e korridorit të drithit”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
“Duke marrë parasysh aktin terrorist, pala ruse ka pezulluar pjesëmarrjen në zbatimin e marrëveshjeve lidhur me daljen e produkteve të drithit nga portet e Ukrainës”, thuhet më tej në deklaratë.
Iniciativa për Drithin në Detin e Zi të realizuar nën koordinimin e Türkiye-s për zgjidhjen e krizës globale të ushqimit, u nënshkruan më 22 korrik në Istanbul nën kujdesin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan mes Ukrainës, Rusisë, Türkiye-s dhe OKB-së.