Profesorë të Universitetit të Tetovës morën pjesë në shënimin e jubileut të Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Beogradit
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani dhe Prof. Dr. Salajdin Salihi morën pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “101-vjetori i Albanologjisë në Universitetin e Beogradit” të organizuar nga Katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe e Fakultetit Filologjik në Universitetin e Beogradit, punimet e së cilës u zhvilluan më 27 dhe 28 tetor 2022. Shënimi i jubileut shekullor të Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Beogradit përbën një ngjarje të mirëpritur për shkencën albanologjike, pasi është katedra e parë albanologjike e cila po hyn në shekullin e dytë të veprimtarisë së saj. Si fillim i albanologjisë në Serbi vështrohet viti akademik 1920/1921, kur në programin e Seminarit të gramatikës krahasuese të gjuhëve indoeuropiane u përfshi si lëndë e re Historia dhe gramatika e gjuhës shqipe nga Dr. Henrik Bariqi.
Krahas punës shumë të madhe të Prof. H. Bariqit (1888 – 1957), për punën e tyre të çmuar në katedër prore nderohen Xhevat Korça (1893 – 1959), Vojislav Dançetoviçi (1905 – 1974) dhe Idriz Ajeti (1917 – 2019). Gjatë punimeve të konferencës u bë dhe promovimi i librit Monografi me rastin e 101-vjetorit të mësimdhënies së gjuhës shqipe në Universitetin e Beogrdait ku profesorët Sulejmani dhe Salihi janë recensentë të monografisë.
Krahas kumtesave shkencore të cilat i prezantuan gjatë punimeve të konferencës në fjalë, Prof. Dr. B. Sulejmani dhe Prof. Dr. S. Salihi kanë mbajtur edhe ligjërata me studentët e vitit III dhe IV të kësaj katedreje. Përndryshe, këtë vit, Fakulteti Filologjik i Universitetit të Beogradit është edhe bashkorganizator i Konferencës VII të Fakultetit Filologjik, që do të mbahet më 16, 17 dhe 18 nëntor në kuadër të Kongresit të Dytë të Shkencave Humane dhe Arteve në Universitetin e Tetovës.