VV kërkon shtyrjen e afatit për regjistrim në zgjedhjet në veri
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të shtyrë afatin për regjistrim të partive politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në veri të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar për RTV Dukagjini anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Alim Rama. Ai megjithëkëtë ka mohuar se kjo kërkesë ka të bëjë me zhvillimet politike në Bruksel dhe mundësinë e kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.
“Jo nuk ka të bëjë me këtë, sepse unë këtë çështje e kam ngritur që nga e marta e kaluar. Në kërkesën time i kam paraqitur arsyet që konsideroj se nuk janë projektuar siç duhet këto afate dhe është hera e parë që nuk kanë kaluar nëpër Këshilla komunalë Zgjedhorë”, tha Rama për televizionin.
Ai ka shtuar se ka gjasa që kjo mbledhje do të mbahet në mënyrë elektronike, sepse kryesuesi i KQZ-së nuk është në Kosovë.