Maqedoni

Luftë pa kompromis kundër korrupsionit, Osmani: Do të na ndihmojnë SHBA dhe BE

Shpërndaje

Përsëri paralajmërim për luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Ministri i jashtëm, Bujar Osmani siguron se në vitet e ardhshme ky do të jetë fokusi i qeverisë, sepse, siç tha, tani prapa kësaj qëndrojnë SHBA-të me ndihmën e tyre por edhe për shkak të obligimeve ndaj BE-së.

“Tani kemi dy instrumente të mëdha për ndjekjen e politikave të korrupsionit. Këtu është skriningu dhe negociatat me BE, ja tani po zbatohet skriningu dypalësh për kapitujt 23 dhe 24 ku fokusi është mbi politikat e korrupsionit, dhe i kemi SHBA-të përmes dialogut strategjik dhe instrumenteve të tyre, pa dallim nëse janë këto mekanizmat për vendosjen në listat e zeza, siç ka ndodhur në rajon ose me publikimin e emrave”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Mesazhet e këtilla të Osmanit vijnë pasi këto ditë ambasadorja e SHBA-ve në vend, Anxhela Ageler drejtpërsëdrejti foli për korrupsionin në vend si një nga problemet më të mëdha për zhvillimin e vendit. Zëvendës ndihmuesi i sekretarit shtetëror të SHBA-ve dhe përfaqësues special për Ballkanin perëndimor, Gabriel Eskobar paralajmëroi se parashihen sanksione për funksionarë të korruptuar nga Ballkani që do të shkarkohen nga pozitat e tyre. Osmani pranon se jemi vend me korrupsion të thellë, por se tani seriozisht do të merremi me këtë problem, pasi, siç tha, i tejkaluam problemet e mëdha.

“Absolutisht nuk mohoj se Republika e Maqedonisë së Veriut ka problem serioz me korrupsion në të gjitha nivelet. Në të gjitha sektorët e shoqërisë ku qytetarët kërkojnë shërbime nga shteti, në çdo nivel. Dua të them se tani fokusin e kemi mbi këtë problem së bashku me partnerët tanë, SHBA-të dhe BE-ja si rezultat i tejkalimit të problemeve të mëdha që na defokusuan nga lufta kundër korrupsionit”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Këtë vit Maqedonia u rendit në vendin e 87-të në listën e Indeksit për perceptimin e korrupsionit, të organizatës ndërkombëtare Transparensi.