Albulena Haxhiu: Lirimi në arrest shtëpiak i Pantiqit, akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vendimi për zëvendësimin e masës ndaj Dejan Pantiqit, është akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit nga siç ka thënë ajo institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit kushtetues.
Haxhiu ka thënë se nuk e kupton si është e mundshme që dikush që akuzohet për një vepër aq të rëndë që ka të bëj me terrorizëm, të shkoj në arrest shtëpiak, shkruan Reporteri.net.
“Kërkesa dhe vendimi për zëvendësimin e masës ndaj Dejan Pantic, është akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit tonë kushtetues.
Nuk di si ta kuptoj dhe si është e mundshme që dikush që akuzohet për një vepër aq të rëndë që ka të bëj me terrorizëm, të shkoj në arrest shtëpiak madje sipas legjislacionit, për shkak të peshës së rëndë të veprës penale, nuk mund të shqiptohet një masë e e butë sikur ajo e arrestit shtëpiak”, shkruan ajo.
Haxhiu tutje thotë se këto vendime janë inkurajim për bandat kriminale e terroriste në veriun e vendit tonë.
“Nuk është se kemi pasur ndonjë ëndërr që sistemi i drejtësisë do të çlirohet pa reformën në drejtësi por ama të ndodhë edhe kjo që ndodhi sot është e papranueshme dhe diçka që do të ngelet në historinë moderne të Kosovës.
Në vend se institucionet e drejtësisë të mbronin rendin kushtetues e qytetarët, njësoj sikur po angazhohet policia edhe fizikisht në veriun e vendit tonë, këta prej zyrave të tyre marrin vendime aq të dëmshme e të cilat përveç tjerash janë inkurajim për bandat kriminale e terroriste në veriun e vendit tonë”, shkruan tutje Haxhiu.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i çuditur me ndërrimin e masës të sigurisë së Dejan Pantiç.
Kurti ka thënë se është kurreshtar ta dijë se cili gjyqtar e la në arrest shtëpiak Pantiqin e akuzuar për terrorizëm.
“Nuk e di çështjen gjyqësore procedurale te atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinjë për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar, në qëndrim të paraburgimit, ai ka statusin e të paraburgosurit. është i pandehur për terrorizëm. Ajo qe kam dëgjuar meqenëse ishte ne greve të urisë dhe kishte probleme me zemër, do mund të dërgohej në spital, qe është e kuptueshme, a është e arsyeshme e vendos gjyqësor, mirëpo kur ke një akuze për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak jam kurreshtar të di cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti.