RajoniTop Lajme

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq: Me Vuçiq kam raporte korrekte dhe miqësore

Shpërndaje

Kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka deklaruar se marrëdhëniet e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë të drejta dhe miqësore.

Kështu është shprehur ai në një intervistë për gazetën malazeze, Vijesti, teksa ka theksuar se refuzon t’i trajtojë kritikat se presidenti serb përfshihet në politikën e Malit të Zi.

“Marrëdhënia ime me Vuçiç është shumë korrekte dhe miqësore. Vazhdimisht jam i sulmuar se Vuçiç po menaxhon diçka këtu, këto gjëra i refuzoj dhe i konsideroj joserioze”, ka thënë Abazoviç.Megjithatë, Abazoviç ka theksuar se edhe me liderët e tjerë të rajonit ka komunikim dhe raporte të mira.

“Nuk kam mungesë komunikimi me asnjë kryeministër apo president në rajon. Më vjen mirë që me të, me kryeministrin e Shqipërisë, të Kosovës dhe me kryetarin e Këshillit të Bosnjë-Hercegovinës kemi marrëdhënie që duhet të ketë çdo kryeministër i Malit të Zi”, shtoi ai.

Abazoviq thotë se nëse në mes të shteteve fqinje ndërtohen mure, vazhdimisht do të ketë konflikte.

Megjithatë ai zgjedh që të ketë bashkëpunim, marrëdhënie liberale, në mënyrë që të bëhen projekte të përbashkëta infrastrukturore.

“Nëse do të ndërtojmë mure, do të jemi në konflikt të vazhdueshëm dhe do të kemi frikë nga njëri-tjetri, ky është një koncept. Nëse do të zhvillojmë bashkëpunim, kemi marrëdhënie liberale, bëjmë projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe lidhemi, unë personalisht zgjedh këtë të fundit. Është një marrëdhënie që nuk ka të bëjë me dikë që është personalisht në pushtet”, ka thënë Abazoviç.