Krejt çfarë dihet deri tash për ngjarjen tragjike në Prizren, ku një person u vra dhe një tjetër u plagos
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, i ka thënë se dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.
“Sot në orën 04:10, policia ka marr informatë se ka pasur të shtëna në afërsi të lokalit ‘Kobra City’, në dalje të Prizrenit, rruga Prizren- Kukës. Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve”, ka thënë Shala.
Ai ka thënë se në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markës ”Audi”, dyshohet së shtetasi D.H. (Dibran Hoxha), ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri 31-vjeçari me inicialet V. C., dhe R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi janë plagosur, ku si pasoj e plagëve shtetasi V.C ka vdekur, ndërsa shtetasi R.SH. ka pësuar lëndime trupore dhe është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë ai.
Lajmi për rastin fillimisht është bërë i ditur nga Policia e Shtetit në Shqipëri. Në njoftimin për media u bë e ditur se viktima që përfundoi me fatalitet është 31-vjeçari me inicialet V. C., ndërsa i plagosuri është R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi.
“Në Morinë, rreth orës 04:25, të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjec, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C dhe R. SH , ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës”.
“Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhej në njoftim.
Për vrasjen dhe plagosjen e një personi sot në Prizren, gjashtë persona të dyshuar janë intervistuar në Stacionin Policor në Prizren dhe me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë në ndalim policor.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se për hetime të mëtejme me rastin do të merret drejtoria për krime të rënda në Prishtinë.
Telegrafi merr vesh se disa prova materiale (kamerat), të cilat mund të kenë regjistruar rastin, nuk po i gjen policia.
Po ka folur edhe drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Islam Ukimeri, i cili tha se lokali “Kobra City” do të mbetet përkohësisht i mbyllur deri në një vendin të gjykatës në Prizren.
Nexhat Elshani, avokat i Dibran Hoxhës – të dyshuarit për vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi, ka thënë se klienti i tij e ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.
Sipas avokatit, seanca gjatë të cilës do të vendoset për masën e sigurisë ndaj të pandehurit do të mbahet nesër (e mërkurë).
Lokali i natës “Kobra City” në Prizren, ku mëngjesin e sotëm nisi një përleshje e cila përfundoi me një të vdekur e një të plagosur, është mbyllur nga Drejtoria e Inspektoratit.
Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha është kryer bastisje në lokalin ku ka nisur përleshja dhe në shtëpinë e pronarit të lokalit, Dibran Hoxha.
Personi i plagosur pas tretmanit që ka marr në Spitalin e Kukësit, siç mëson Telegrafi, është transportuar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Gjendja e të plagosurit është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.