Aggeler: Lufta kundër korrupsionit është prioritet për Uashingtonin
Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet, ndërsa këshilltari i Stejt Departamentit, Derek Shole, i cili të mërkurën do të vijë këtu për vizitë, do ti ngrejë disa çështje. Kështu deklaroi ambasadorja e SHBA-së, Angela P. Aggeler pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtëm, Bujar Osmanin.
“Përparësitë e përbashkëta do të diskutohen me Këshilltarin Shole dhe lufta kundër korrupsionit do të mbetet primare për Uashingtonin. Ai do të ngrejë disa çështje gjatë vizitës së kësaj jave. Viti 2023 do të jetë një vit shumë i ngarkuar”, tha ambasadorja Aggeler.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani theksoi se një nga instrumentet e SHBA-së, në kornizën e dakorduar me Shkupin për luftimin e korrupsionit, do të jetë edhe zgjerimi i listës së zezë për sanksione.
“Në këtë dialog strategjik, në këtë kornizë, gjegjësisht plan aksionar, vend zë bashkëpunimi i përbashkët me SHBA-të në pjesën e luftimit të korrupsionit. Kështu që kjo është në korniza të platformës së dakorduar për bashkëpunim mes SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut dhe çdo mbështetje e tyre është e mirëseardhur dhe jemi falenderues për këtë”, tha Osmani.
Osmani më tej tha se çdo përkrahje nga SHBA-ja është e mirëseardhur, por sipas tij, mbetet që ata të vendosin se në çfarë mënyre do ta ofrojnë atë. Ai gjithashtu rikujtoi se në periudhën e kaluar vendi ka marrë miliona euro ndihmë financiare nga SHBA për gjyqësinë.