Kovaçevski-Sholet, biseduan për korrupsionin dhe ndryshimet kushtetuese
Kriza energjetike, kryesimi i Maqedonisë me OSBE-në, lufta kundër korrupsionit dhe integrimet evropiane ishin temat që diskutuan këshilltari në Departamentin e Shtetit, Derek Sholl dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski. Pas takimit, kryeministri theksoi se ka marrë mbështetje nga Sholl për të gjitha vendimet e rëndësishme që duhet të ndërmerren në rrugën drejt BE-së, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese.
“Nga çdo përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo vetëm për atë vendim, por për të gjitha vendimet që kemi pasur dhe që do të pasojnë, sepse ndryshimet kushtetuese nuk janë vendimi i fundit që do të ketë Maqedonia e Veriut deri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kemi pasur gjithmonë mbështetje, duke qenë se nuk ka alternativë tjetër për vendin tonë përveç anëtarësimit në BE”, tha Dimitar Kovaçevski – kryetar i Qeverisë.
Kovaçevski u përgjigj se ai dhe Sholl nuk kanë biseduar për listën e zezë të paralajmëruar nga Departamenti i Shtetit, ku pritet të përfshihen zyrtarë aktualë dhe ish zyrtarë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për të cilët SHBA-të kanë dyshime të forta se kanë marrë pjesë në krim dhe korrupsion. Kryeministri thotë se tema e rezultateve të ekipit të sanksioneve amerikane, i cili kohët e fundit qëndroi në Shkup dhe u interesua për rastet e korrupsionit të lartë, as që u ngrit në tavolinë.
“Ka një sërë rastesh të korrupsionit në nivele të larta që janë trajtuar nga organet e drejtësisë dhe sigurisht në të ardhmen së bashku me partnerët tanë do të punojmë në vazhdimësi për ta përmirësuar performancën e sistemit të drejtësisë”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryetar i Qeverisë.
Sipas Kovaçevskit, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit do të jenë gjithashtu pjesë e temave të takimit të dytë të Dialogut Strategjik me SHBA-në, i cili do të mbahet në gjysmën e parë të vitit. /Alsat.mk