MaqedoniTop Lajme

Gjykatësit Enver Bexheti dhe Lirije Elezi shpëtuan Mijallkovin, lëndët i ruajtën në sirtar

Shpërndaje

Gjykatësit Enver Bexheti dhe Lirije Elezi i kanë shpëtuar dy dekada burg ish shefit të policisë sekrete Sasho Mijalkov edhe atë në lëndët Target Fortesa dhe Thesari, duke i zvarritur qëllimisht procedurat përmes mbajtjes së dokumenteve në sirtar me muaj. Kështu ka vlerësuar Këshilli Gjyqësor.

Raporti ka konstatuar se gjykatësi ambicioz Enver Bexheti i cili aktualisht synon të bëhet gjyqtar suprem, pa asnjë arsye relevante lëndën për përgjimin masiv të njohur si Target Fortesa e ka mbajtur në sirtar për 9 muaj dhe kështu, janë krijuar kushtet që Mijalkov të mos mbajë as 1 ditë burg për këtë, edhe pse paraprakisht nga Gjykata Penale ishte dënuar me 12 vite burg.

Për këtë lëndë, seanca publike është mbajtur më 7 mars të vitit 2022 ndërkaq vendimi është sjellë më 5 dhjetor të vitit 2022.

Në rastin Thesari ku Mijalkov duhej të vuante 9 vite burg sipas Gjykatës së shkallës së parë, shpëtimtare ka qenë gjykatësja referuese Lirije Elezi. Sipas SDK, bashkëshorti i kësaj të fundit ishte pranuar në Policinë Sekrete në kohën kur Mijalkov ka qenë drejtor.

Përkundër deklarimeve të gjykatësve të Apelit që në këtë rast bëhet fjalë për lëndë të ndërlikuar dhe është dashur të takohen disa herë, Tanja Çaçarova Ilievska nga Këshilli Gjyqësor tha se nuk ekzistojnë dëshmi, përkatësisht, procesverbale për këto takime të pretenduara.

“Si arsye për vonesa janë theksuar komplikueshmëria e lëndës, numri i madh i dëshmive materiale dhe nevoja për më shumë kohë për ekzaminim dhe vlerësim të vendimit të shkallës së parë si dhe ankesat e dorëzuara nga vendimi i shkallës së parë. Simptomatikë është se në të gjitha deklaratat theksohet se nga dita e mbajtjes së seancës publike deri në ditën e marrjes së vendimit anëtarët e trupit gjykues kanë shkruar se disa herë janë mbledhur për ta studiuar lëndën, mirëpo grupi i punës nga të dhënat që ka marrë nga kontrolli ka vërtetuar se nuk ka procesverbal për ri takime të trupit gjykues”, deklaroi Tanja Çaçarova Ilievska, anëtare e Këshillit Gjyqësor.

Nuk dihet nëse dikush do të bartë përgjegjësi për këto zvarritje, pasi qëllimi i këtij raporti ishte vetëm konstatimi i gjendjes.

Ndryshe, ky raport u përgatit nga 3 anëtarë të Këshillit Gjyqësor pas presionit publik për vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit. Këta të fundit u arsyetuan se lëndët marrin shumë kohë për shkak të mbingarkimit me punë, pushimet, pushimet mjekësore si dhe kompleksiteti i lëndëve. /Alsat.mk