Sulm i armatosur ndaj ambasadës së Azerbajxhanit në Teheran, një i vdekur (Video)
Ministria e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit njoftoi se është kryer sulm i armatosur ndaj ambasadës së saj në kryeqytetin e Iranit, Teheran, ku humbi jetën shefi i sigurimit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën nga ministria raportohet se rreth orës 08:30 është kryer sulm i armatosur ndaj ambasadës së Azerbajxhanit në Teheran.
– Türkiye dënon ashpër sulmin ndaj ambasadës së Azerbajxhanit në Teheran
Në deklaratë thuhet se sulmuesi, i cili hapi zjarr me automatik kallashnikov, vrau shefin e sigurimit të ambasadës dhe plagosi 2 roje.
Theksohet se hetimet për sulmin po vazhdojnë dhe publikut do t’i jepet informacion shtesë për detajet.
Policia e Teheranit: Kapet sulmuesi i Ambasadës së Azerbajxhanit
Komandanti i Policisë së Teheranit, Hossein Rahimi tha se është kapur sulmuesi, i cili kreu sulm të armatosur ndaj Ambasadës së Republikës së Azerbajxhanit në Teheran.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, Rahimi ka dhënë informacione për sulmin e armatosur që ndodhi në Teheran sot në mëngjes.
Ai tha se “një person ka kryer sulm të armatosur gjatë hyrjes së stafit të Ambasadës së Azerbajxhanit në ambasadë, duke shkaktuar 1 të vdekur dhe 2 të plagosur”.
Duke theksuar se sulmuesi është kapur, Rahimi tha se “Sulmuesi ka hyrë në objekt me 2 fëmijë të vegjël. Sipas informacioneve të para është konstatuar se sulmin e ka organizuar për shkak të problemeve personale dhe familjare”.
Rahimi nuk ka dhënë informacione për identitetin e sulmuesit.
Sulmi terrorist ndaj misioneve diplomatike i papranueshëm
Presidenti i Azerbajxhanit, İlham Aliyev tha se “Sulmi terrorist ndaj misioneve diplomatike është i papranueshëm” dhe kërkoi që sulmi terrorist ndaj ambasadës së vendit të tij në Teheran të hetohet sa më parë.
Përmes një postimi nga llogaria e tij në Twitter, Aliyev deklaroi: “Dënoj fuqimisht aktin terrorist të kryer sot ndaj ambasadës tonë në Teheran. Shpreh ngushëllimet familjarëve dhe të afërmëve të togerit Orhan Asgerov i cili ra dëshmor duke mbrojtur ambasadën dhe punonjësit e saj. Kërkojmë që sulmi terrorist të hetohet sa më parë dhe të ndëshkohen terroristët. Sulmi terrorist ndaj misioneve diplomatike është i papranueshëm”.
Publikohen pamjet nga sulmi ndaj ambasadës së Azerbajxhanit në Teheran
Në mediat sociale janë publikuar pamjet e kamerës së sigurisë nga sulmi i armatosur ndaj ambasadës së Azerbajxhanit në kryeqytetin e Iranit, Teheran.
Në pamjet që kamera ka regjistruar brenda ambasadës, vërehet që agresori ka hapur zjarr ndaj 3 punonjësve të sigurimit të cilët ndodheshin brenda.
Po ashtu shihet se një prej punonjësve të sigurimit që u qëllua bie në tokë ndërsa punonjësi tjetër i sigurimit i hidhet përsipër duke u përpjekur të neutralizojë agresorin.
Publikohen pamjet nga sulmi ndaj ambasadës së Azerbajxhanit në Teheran https://t.co/F6wrhwdZbD pic.twitter.com/1vpJmH91RR
— ANADOLU AGENCY (AL) (@aa_albanian) January 27, 2023