MaqedoniTop Lajme

ASH, 5 pika për hyrje në Qeveri

Shpërndaje

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari nesër do të kenë një takim ku do të flasin për hyrjen e eventuale të ASh-së në kabinetin qeveritare. Kreu i ASh-së Arben Taravari bëri të ditur se për ditën e nesërme kanë përgatitur një program me 5 pika të cilat do të jenë kërkesat e tyre për përfshirje në Qeveri. Ndonëse nuk deshi të flasë se çka përmbajnë ato, tha njëra prej tyre do të jetë garanci për ndryshimet kushtetuese.

“Ne kemi përpiluar kërkesat tona të cilat janë kryesisht programore, për kadrovike kemi bërë edhe disa kërkesa, por kryesisht janë kërkesa programore të cilat të shohim prej kryeministrit a janë të pranueshme për ato si shumicë qeveritare”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Nëse 5 kërkesat e ASh-së për shumicën qeveritare janë të pranueshme atëherë do të bisedohet për ndarjen e resorëve, nëse jo, atëherë Tararavari tha se kjo temë së shpejti duhet të përfundojë dhe ata të vazhdojnë të qëndrojnë në opozitë.

Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se nesër me Taravarin pritet të diskutojnë për zgjidhje ligjore dhe programore.

“Do të flasim sërish për përparimet nga hera e fundit që jemi parë, por do të diskutojmë edhe për bashkëpunim të mundshëm dhe do të bisedojmë për zgjidhje ligjore dhe programore që mund ta zhvillojnë kapacitetin e shtetit dhe kapacitetin e Kuvendit dhe gjithsesi marrjen e atyre vendimeve që nënkuptojnë vazhdimin e rrugës europiane dhe arritjen e qëllimit që në vitin 2030 të jemi pjesë e BE-së”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Në ekipin negociues të ASh-së, përveç Taravarit, pritet të jenë edhe Ziadin Sela, Krenar Lloga, Isen Shabani, Ilire Dauti, Bujare Abazi dhe Elmi Aziri. Ndërsa jo zyrtarisht është bërë e ditur se ASH do të merr ministrinë e Shëndetësisë, Drejtësisë dhe duhet të zgjedh mes ministrisë së Arsimit dhe Ekologjisë, dy resore që udhëhiqen nga kuadro të BDI-së.