“Nuk negociojmë me Bullgarinë, por me BE-në”, Kovaçevski i kundërpërgjigjet Radevit i cili thotë se jemi në fazë vetoje
Presidenti bullgar, Rumen Radev paralajmëroi se në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Europian sot dhe nesër do të kërkojë monitorim nga Bashkimi Europian për respektimin e të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë. Në Maqedoni po zhvillohet një fushatë anti-bullgare e cila shkakton krime dhe dhunë ndaj individëve dhe klubeve bullgare, tha Radev.
“Do të kërkoj shumë qartë nga kolegët e mi më shumë solidarizim dhe angazhim sa u takon të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë dhe me të njëjtën energji me të cilën na thumbojnë këtu për ngadalësimin e procesit integrues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bashkimi Europian të imponojë monitorim dhe garanci për respektimin e të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë”, tha Rumen Radev, president i Bullgarisë.
Nuk kemi problem me këtë për shkak se të drejtat e bashkësive në vend që nuk janë shumicë janë në nivel shumë të lartë krahasuar me shumë vende të BE-së, u përgjigj kryeministri Dimitar Kovaçevski.
“Kërkesa e çdo politikani në atë pjesë për ne nuk paraqet asnjë problem duke pasur parasysh se të drejtat e individëve apo grupeve në këtë shtet që nuk janë pjesë e popullit që është shumicë, janë në nivel shumë më të lartë krahasuar me shume vende të Europës dhe BE-së. Bullgarinë nuk do ta komentoja për shkak se janë në zgjedhje dhe atje çdokush jep deklarata për të marrë votë shtesë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Radev njëkohësisht tha se Bullgaria për momentin është në gjendjen e vetos ndaj negociatave të Maqedonisë me BE, të cilat, siç tha, ende nuk kanë filluar derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutë. Kovaçevski e hedh poshtë mundësinë për veto për shkak se, siç tha ai, ne tashmë i filluam negociatat me BE, e jo me Bullgarinë.
“Për momentin mund të them se ne jemi në gjendjen e vetos. Konferenca e parë ndërqeveritare ose fillimi i negociatave mund të fillojnë pasi bullgarët futen në Kushtetutën e fqinjit tonë. Deri atëherë, negociatat nuk kanë filluar. Kështu që, kjo është gjendja e vetos”, deklaroi Rumen Radev, president i Bullgarisë.
“Ne me Bullgarinë nuk negociuam për hyrje në BE, ne negociojmë me BE në Bruksel. Veto nuk do të ketë për shkak se ne tashmë i filluam negociatat“, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Dje Komiteti i ministrave të Këshillit të Europës miratoi Rezolutë ku thuhet se nuk ekziston diskriminim sistematik të pakicave në Maqedoni, me çka u hodhën poshtë amendamentet e Bullgarisë me të cilat pohohej se në Maqedoni ka diskriminim./TV21