Universiteti i Tetovës ndan 10.000 euro ndihmë financiare për rajonin e prekur nga tërmeti në Turqi
Senati i Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 27. 2.2023 solli vendim për donacion të mjeteve financiare Qeverisë së Republikës së Turqisë, për rajonin e prekur nga tërmeti i 6 shkurtit të vitit 2023. Me këtë vendim, Universiteti i Tetovës ka ndarë 10.000 euro në kundërvlerë në denarë nga mjetet financiare vetanake.
Ndërsa sot, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti i shoqëruar edhe nga Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Financa, Investime dhe Zhvillim, Prof. Dr. Faton Shabani dhe Shefi i programit studimor të Orientalistikës në Fakultetin Filozofik, Prof. Dr. Adnan Ismaili u takuan me Ambasadorin e Republikës së Turqisë, shkëlqesinë e tij, Hakan Mehmet Sekizkok. Me këtë rast, drejtuesit e Universitetit tonë ia komunikuan vendimin e Senatit për t’i dhuruar donacionin e Universitetit tonë Qeverisë së Turqisë dhe njëherit në emër të studentëve dhe gjithë të punësuarve të tjerë i shprehën ngushëllimet e tyre popullit turk për viktimat, të cilat fatkeqësisht humbën jetën nga tërmeti tragjik.
Ndërsa Ambasadori i Republikës së Turqisë, ekselenca e tij Hakan Mehmet Sekizkok, i falënderoi drejtuesit e Universitetit të Tetovës për vizitën dhe solidaritetin e tyre që kanë ndarë me popullin turk, duke u dhënë kurajë për tejkalimin e kësaj tragjedie. Ai tha se donacioni i dhuruar nga ana e Universitetit të Tetovës për Qeverinë e Republikës së Turqisë dëshmon për vlerat humane të pedagogëve dhe studentëve të këtij Universiteti.