MaqedoniTop Lajme

Grubi: Jemi të fokusuar në realizimin e reformave për të përshpejtuar procesin tonë drejt anëtarësimit në BE

Shpërndaje

Me ftesë të Forumit Ekonomik Delphi dhe Shoqatës Helenike të Biznesit në Maqedoninë e Veriut, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi mori pjesë në edicionin e dytë të panelit të diskutimit me temë “Punojmë drejt prosperitetit në kohë trazirash”.

Grubi në event përmes një kronologjie ka përshkruar gjithë ecurinë e shtetit që nga Marrëveshja e Ohrit e deri tek të gjitha marrëveshjet që garantuan zgjidhje të konflikteve dhe progres për vendin.

Ndër të tjera, Grubi ka theksuar se Maqedonia e Veriut tashmë po punon fuqishëm drejt realizimit të reformave dhe përshpejtimit të procesit drejt Bashkimit Europian.

Njoftimi i plotë:

Me ftesë të Forumit Ekonomik Delphi dhe Shoqatës Helenike të Biznesit në vendin tonë mora pjesë në edicionin e dytë të një nga mbledhimeve më të mëdha rajonale, Forumit Ekonomik në Shkup me temë “Punojmë drejt prosperitetit në kohë trazirash”.

Potencova rëndësinë e bashkëpunimit rajonal mes shteteve të Ballkanit, rikujtova pozicionimin në thelb europian të vendit për të zgjidhur të gjitha kontestet me fqinjët, impaktin e jashtëzakonshëm të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë si shembullin më të mirë të paqebërjes dhe konsolidimit demokratik të një vendi.

Vendi ynë është fuqishëm i fokusuar në realizimin e reformave, menaxhimin e suksesshëm të krizës ekonomike dhe energjetike, në luftën kundër krimit dhe korrupcionit, përmirësimin e vazhdueshëm të standardit jetësor të qytetarëve dhe përshpejtimin e hapit drejt Europës.

Përgëzova organizatorët për organizimin e shkëlqyeshëm të kësaj ngjarje, konkluzionet e së cilës janë busullë orientuese për veprimin e shteteve që përfaqësojmë.