Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në seancën përkujtimore në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, Eliot Engel
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti fjalim në Kuvendin e Kosovës, në seancën përkujtimore në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, Eliot Engel.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh edhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë dhe anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të dashur qytetarë,
Të nderuara presidente, Vjosa Osmani-Sadriu dhe Atifete Jahjaga,
I nderuari dr. Shqiptar Demaçi,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë të vendeve mike në Republikën e Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
“Unë besoj që zgjidhja e vetme për Kosovën është pavarësia. Më lejoni t’ju tregoj se i them Kosova, sepse 90% njerëzve që jetojnë aty i thonë Kosova, prandaj po e përdor A-në. Pavarësia dhe vetëvendosja është e vetmja zgjidhje afatgjate. Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të trajtohen drejt nën Serbi dhe kjo është dëshmuar sa e sa herë. Mendoj se politika jonë është mjaft e mangët, sepse për aq kohë sa e shohim Millosheviqin si pjesë të zgjidhjes, pa e kuptuar se ai është problemi e jo zgjidhja, me çfarëdo që ne dalim, e që përfshin atë, është e destinuar të dështojë”.
Me këtë qëndrim të prerë e të guximshëm, që krahas historisë njihte realitetin, nevojat e kohës dhe përfaqësonte një vizion të kthjellët e largpamës, e kishte nisur fjalën e tij kongresisti Eliot Engel, në takimin e Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, më 10 shkurt 1999.
Atë kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po diskutohej për dërgimin e forcave tokësore në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, si përgjigje ndaj krimeve të tmerrshme, spastrimit etnik dhe gjenocidit që Serbia po kryente ndaj shqiptarëve.
Kongresisti Eliot Engel, miku dhe mbështetësi i madh i shqiptarëve në përgjithësi dhe i Kosovës në veçanti, nuk hezitoi asnjëherë të ngriste zërin në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejtë të historisë. Për më tepër, ai avokoi dhe u angazhua pa u kursyer që të drejtët të triumfojnë.
Kur erdhi në Prishtinë me rastin e hapjes së Zyrës Informuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në qershor të vitit 1996, ai e cilësoi atë si ambasadën e parë të qytetarëve amerikanë në Kosovë, duke u shprehur i bindur se një ditë do të ketë një Republikë të Kosovës. Këtë e tregoi vetë, më 4 Korrik 2019, në ditën kur preu shiritin e ndërtesës së re e moderne të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Kjo bindje e shprehur tri dekada më parë, kur Kosovës i mungonin zëra si Engel, është dëshmi që përveçse rrethanat politike, ai njihte të drejtën historike të shqiptarëve të Kosovës për të pasur një shtet.
Kongresisti Engel, miku i madh i kombit tonë, krah të cilit qëndruan figura të rëndësishme shqiptaro-amerikane që dhanë kontribut të pamatshëm, ishte nga zërat e hershëm, në plejadën e Tom Lantos, Bob Dole e Joe DioGuardi, të gjithë këta gjithnjë të palëkundur në mbështetje të Kosovës, në ditët kur drejtësia për popullin tonë kërkonte guxim dhe vendosmëri.
Ai nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij, duke e ngritur dhe duke avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Për më shumë se tri dekada në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Engel ishte një shërbyes i përkushtuar i qytetarëve amerikanë dhe përfaqësues i fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe ato civile kudo në botë, e sidomos për ne.
Kongresisti Engel i qëndroi besnik angazhimit për kombin tonë që kur u njoh për së afër me të. Në shënimin e dhjetë-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, në këtë foltore, në Kuvendin e shtetit të cilin kongresisti Engel ishte i bindur se do të bëhej, ai tha: “Dua ta shoh Kosovën të njohur nga secili shtet në botë, dua ta shoh Kosovën në Bashkimin Evropian, dua ta shoh Kosovën në NATO dhe dua ta shoh Kosovën në Kombet e Bashkuara”.
Pra, ai donte për ne atë që ne duam për vete. Kongresisti Engel donte për ne atë që ne deshëm për veten tonë edhe në vitet e ‘90-ta, kur fliste jo vetëm për liri, por edhe për pavarësinë dhe shtetin, për Republikën e Kosovës, si domosdoshmëri.
Në kohët më të vështira për shqiptarët, Engel u bë zëri që nuk e kishim. Ai u bë kongresisti ynë. I tillë do të mbetet përgjithmonë.
Interesi i sinqertë për të ardhmen e Republikës së Kosovës, për të cilën punoi aq shumë, ishte gjithmonë në qendër të takimeve tona që kemi pasur, duke filluar nga takimi im i parë me të, më 9 dhjetor të vitit 1997 në Nju-Jork.
Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë, ku një vend të veçantë zë pikërisht Eliot Engel.
E po të mund t’i dëgjonte Eliot Engel këto fjalë që i themi për të ne sot këtu, jam i bindur që ai do të thoshte se meritat i ka të përbashkëta me këshilltarin dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Jason Steinbaum, të cilin e përshëndesim përzemërsisht.
Republika e Kosovës me qytetarët e saj dhe mbarë kombi shqiptar, janë përjetë mirënjohës ndaj kontributit të kongresistit Eliot Engel. Vdekja e tij është humbje e madhe për ne. Por kujtimi për të dhe trashëgimia e tij do të jetojnë përherë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirëve të kongresmenit!
Ju faleminderit.

