RajoniTop Lajme

Rasti “Banjska”, dy nga tre të akuzuarit dënohen me burgim të përjetshëm, njëri me 30 vjet

Shpërndaje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykimi për rastin “Banjska” ndaj tre të akuzuarve Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Makismoviq, raporton Ekonomia Online.Blagoje Spasojeviq dënohet me burgim të përjetshëm, Vladimir Toliq me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim.Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, i cili ka shpallur aktgjykimin në këtë rast, tha se të akuzuarit kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.Nga ky sulm ka vdekur pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe Arrni deklaroi se me këto veprime të akuzuarit kanë kryer vepër terroriste.

“Në emër të popullit shpall këtë aktgjykim: të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq janë fajtorë, sepse më datë 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë, të akuzuarit së bashku me pjesëtarë të grupit të tyre të arratisur, në kuadër të një plani, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë. Me këtë rast ka vdekur pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Me këto veprime të akuzuarit kanë kryer vepër terroriste. Blagoje Spasojeviq dënohet me burgim të përjetshëm, Vladimir Toliq me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim”, u tha në shpalljen e aktgjykimit.

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria Speciale e Kosovës javën e kaluar ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Makismoviq.

Në fjalën përfundimtare, prokurori i rastit, Naim Abazi, kërkoi burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit. Burgim të përjetshëm për Spasojeviqin, Toliqin dhe Maksimoviqin kërkuan edhe përfaqësuesit e zyrtarëve policorë që u lënduan gjatë sulmit terrorist, si dhe avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku, i cili mbeti i vrarë më 24 shtator 2023.

Të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq i kanë mohuar akuzat me të cilat i ngarkon Prokuroria Speciale.

Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, Policia e Kosovës u ballafaqua me një sulm terrorist.

Nga ai sulm terrorist mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti dhe u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale, më 11 shtator, ngriti aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit, i cili ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm terrorist.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa prej tyre akuzohen edhe për financim të grupit dhe shpëlarje të parasë.

Javën e kaluar është arrestuar Stefan Raduloviq, i dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Për Radoiçiqin dhe 40 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, Prokuroria Speciale kishte kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën si të “pabazuar”.

Serbia ende nuk i ka dorëzuar të dyshuarit për rastin e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe disa aleatëve ndërkombëtarë.