Presidentit të Azerbajxhanit i dorëzohet automjeti turk Togg (Foto)
Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, iu dorëzua me një ceremoni makina e parë elektrike autoktone e Türkiye-s, Togg-T10X, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e mbajtur në ‘Dağüstü Park‘ në kryeqytetin Baku morën pjesë ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, Kryetari i Bordit Drejtues të Togg, Rifat Hisarcıklıoğlu, zv.kryetarët e Bordit Drejtues të Togg, Tuncay Özilhan dhe Bülent Aksu, anëtari i bordit drejtues, Murat Yalçıntaş, drejtuesi i lartë i Togg, Gürcan Karakaş dhe ambasadori i Türkiye-s në Baku, Cahit Bağcı.
“Automjetin e dytë po jua dorëzojmë juve. Populli turk është shumë i kënaqur me dorëzimin e automjetit të dytë ndaj Azerbajxhanit. Urojmë të jetë i mbarë. Shpresojmë që ta përdorni në ditë të bukura”, tha Ministri Varank, i cili ia dorëzoi presidentit Aliyev çelësin e Togg.
Ndërsa bordi drejtues i Togg i dhuroi presidentit Aliyev, një vepër të përbërë nga kompozimi i Togg dhe automobilit ‘Devrim‘ i përgatitur posaçërisht për presidentin.
Kryetari i Bordit Drejtues të Togg, Rifat Hisarcıklıoğlu, i shpjegoi Aliyev-it historinë e shkurtër të makinës ‘Devrim‘ dhe i përcolli përshëndetjet e popullit turk.
Aliyev më pas kaloi në drejtim të automjetit dhe me makinën Togg udhëtoi për në zyrën e punës në presidencë. Bashkë me Aliyev në automjet ishin të pranishëm ministri Varank, Hisarcıklıoğlu, Özilhan dhe Karakaş.