Bota

Forcat izraelite vrasin një fëmijë palestinez dhe plagosin 2 të tjerë në Bregun Perëndimor

Shpërndaje

Forcat izraelite vranë një palestinez 15-vjeçar dhe plagosën 2 persona në qytetin Jericho (Eriha) në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Ushtarët izraelitë bastisën kampin e refugjatëve Aqaba Jabr në qytetin Jericho në jug të Bregut Perëndimor.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se në bastisjen e ushtarëve izraelitë me plumba të vërtetë, 15-vjeçari Mohammed Bilhan humbi jetën nga plumbat që e goditën në kokë, gjoks dhe stomak. Gjithashtu theksohet se në bastisje u plagosën 2 palestinezë.

Ushtarët izraelitë sot bastisën edhe kampin e refugjatëve Al-Ayn në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor dhe plagosën 3 palestinezë.

– Vrasjet në rajon u shtuan me bastisjet e ushtrisë izraelite

Që nga fillimi i vitit, ushtria izraelite ka shtuar operacionet e bastisjes dhe ndalimit në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar, ku është përqendruar popullsia palestineze.

Këtë vit, 96 palestinezë humbën jetën në bastisjet dhe sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor.

Ushtarët shpesh përdorin municion të vërtetë si dhe plumba gome kundër palestinezëve që protestojnë kundër bastisjeve. Ka edhe përplasje të herë pas hershme midis ushtarëve izraelitë dhe grupeve palestineze që reagojnë ndaj bastisjeve, veçanërisht në zonat në veri të Bregut Perëndimor, si Jenin dhe Nablus.