Kovaçevski: Transformimi digjital është prioritet, me asistentin e parë digjital në sektorin publik, ADA, deri në transparencë më të madhe dhe reduktim të korrupsionit

Shpërndaje

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot me zëvendëskryetarin e Qeverisë, të ngarkuar për çështjet ekonomike, koordinimin e resorëve ekonomik dhe investime, Fatmir Bytyqi, ministrin për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu dhe drejtorin e Fondit të Investimeve dhe Zhvillimit Teknologjik, Festim Halili, në një prezantim të përbashkët prezantuan asistentin e parë digjital në sektorin publik, bazuar në inteligjencën artificiale – ADA, i dizajnuar për nevojat e programeve për ndihmë shtetërore. Bëhet fjalë për një projekt të mbështetur nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.

Në vazhdim ua përcjellim fjalim e tërësishëm të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski nga ngjarja:

“I nderuar zëvendëskryeministër Bytyqi,

I nderuar drejtor i FIZHT-së,

Të nderuar mysafirë, media dhe qytetarë,
Republika e Maqedonisë së Veriut po digjitalizohet. Vendi ynë ndjek proceset botërore dhe tashmë është pjesë e valës së trendeve të reja, moderne, digjitale, të cilat mbulojnë çdo aspekt të jetesës sonë, dhe gjëja më e thjeshtë për të thënë është se po, ADA po vjen, që është asistenti i parë digjital i krijuar ndonjëherë në Qeverinë e vendit tonë.

Jemi këtu për të njoftuar ardhjen e asistentit të parë digjital të bazuar në inteligjencën artificiale, përmes të cilit kompanitë do të mund të marrin informacion të plotë për kushtet për të investuar në vendin tonë dhe ndihmën shtetërore që ofrojmë.

ADA ofron të gjitha informacionet për mbështetjen financiare nga shteti dhe do të përmirësohet me shërbime të tjera të rëndësishme për sektorin e biznesit dhe qytetarët. Nëpërmjet kësaj do të ndikojmë në rritjen e transparencës së të gjitha institucioneve, por edhe në uljen e korrupsionit dhe eliminimin e faktorit njerëzor në procese.

Vendosja e këtij asistenti të parë digjital, që është një hap revolucionar në shoqërinë tonë, do të nënkuptojë përshpejtimin e proceseve të ofrimit të shërbimeve për qytetarët e interesuar dhe përfaqësuesit e kompanive, të cilët do të mund të shërbehen në numër të pakufizuar dhe në vazhdimësi, gjatë 24 orëve.

Procesi i digjitalizimit është i pandalshëm kudo në botë, edhe në vendin tonë. Trendet botërore po zhvillohen në drejtim të zhvillimit dhe aplikimit në rritje të inteligjencës artificiale, e cila ka depërtuar në të gjitha sferat e jetës, nëpërmjet montimit të makinerive dhe modernizimit të procesit të prodhimit, deri në ndihmë në shtëpi, madje edhe në krijimin e veprave. dhe krijimet të cilat më parë ishin të mundshme vetëm me ndihmën e njeriut.
Mundësitë që ofron inteligjenca artificiale janë të pakufishme. Kjo u dëshmua përmes përpjekjes të shkëlqyer të suksesshme të krijuesit të inteligjencës artificiale dhe shkencës bashkëkohore kognitive, Alan Turing, përmes deshifrimit të makinës së famshme Enigma, të cilën gjermanët e përdorën si një mjet komunikimi të sigurt gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përpjekjet vizionare të Turing janë sot një realitet. Shtetet tashmë po konkurrojnë për sa i përket performancës së përmirësuar të makinerive, prodhimit të softuerit më të sofistikuar dhe modernizimit të zakoneve të përditshme të njerëzve.
Përdorimi i inteligjencës artificiale dhe kompjuterizimi është pasqyruar dhe aplikuar në sferën publike, si dhe në funksionimin e institucioneve tona.

Domethënë, e ilustruar përmes shembujve të thjeshtë, nëse më parë biletat i jepnin njerëzit, tani këtë e bëjnë makineritë. Pagesa fizike e faturave, e cila dikur mund të bëhej vetëm përmes sporteleve, tashmë është zëvendësuar me pagesën online, ashtu siç është e mundur pajisja me dokumente personale në mënyrë elektronike, ndërsa ajo në të cilën po punojmë tani është një ID elektronike për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Kështu, largojmë ndikimin e faktorit njeri, mundësinë e gabimeve dhe praktikave korruptive. Të udhëhequr nga kjo ide, për t’u përshëndetur është sjellja e ADA – asistentit të parë digjital për shërbimet publike, me ç’rast i përmirësojmë praktikat e digjitalizimit në shoqëri.

Si Qeveri, e cila synon modernizimin dhe ndjekjen e trendeve botërore, në periudhën e kaluar kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim një numër të madh iniciativash inovative. U krijua Këshilli Nacional për Transformimin Digjital të Shoqërisë, me miratimin e konceptit të modernizimit të funksionimit të të gjitha institucioneve.

Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, përmes instrumenteve të tij financiare, bashkëfinancon 1080 projekte, me investime të përbashkëta prej rreth 112 milionë euro. Prej tyre, mbi 50% janë kompani fillestare, të themeluara kryesisht nga të rinjtë.

Edhe këtë vit, ne vazhdojmë me mbështetje të fuqishme për kompanitë investuese që rrisin konkurrencën përmes ideve inovative.

Vitin e kaluar ishte viti i tretë radhazi që kompanitë që kanë investuar kanë marrë mbështetjen financiare të plotë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme kur planifikohen fondet e disponueshme në kushte krize.

Vitin e kaluar kemi pasur një pagesë rekord prej 23 milionë euro, si dhe një numër rekord të kompanive të mbështetura, 410 sipas Ligjit për mbështetje financiare të investimeve. Numri i kompanive si dhe buxheti i mbështetjes po rritet nga viti në vit, duke filluar nga viti 2017, kur e filluam këtë program.

Me qëllim që t’i lehtësojmë procedurat administrative, që nga viti 2020 kemi krijuar edhe one stop shop për investime.

Të gjithë këtë e bëjmë për të ndihmuar investitorët vendas dhe të huaj, për të kontribuar në një konkurrencë dhe likuiditet më të madh të kompanive dhe nëpërmjet kësaj në zhvillimin e ekonomisë vendore. Edhe atë në kushtet e krizës ekonomike dhe energjetike, për të përballuar më lehtë sfidat dhe për të mos lejuar trazira dhe përçarje të mëdha në ekonominë e vendit.

Edhe një herë, dëshiroj të përshëndes promovimin e sotëm të ADA-s dhe të uroj zbatim të suksesshëm të asistentit të parë digjital të bazuar në inteligjencën artificiale, i cili e bën Republikën e Maqedonisë së Veriut pjesë të trendeve botërore digjitale.

Faleminderit.”