SHBA në kërkim të burimit që publikoi dokumentet sekrete
Zyrtarët amerikanë po punojnë për identifikimin e burimit të dokumenteve të klasifikuara ushtarake dhe të shërbimeve të zbulimit, që u shfaqën në internet, me detaje nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, deri te agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad.
Disa ekspertë perëndimorë të sigurisë dhe zyrtarë amerikanë thonë se dyshojnë se mund të jetë dikush nga Shtetet e Bashkuara që i ka nxjerrë dokumentet sekrete.
Zyrtarët thonë se gjerësia e temave të trajtuara në dokumente, të cilat prekin luftën në Ukrainë, Kinën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, sugjerojnë se ato mund të jenë nxjerrë nga një amerikan dhe jo nga një vend aleat.
“Vëmendja tani është përqendruar tek mundësia që kjo të jetë një rrjedhje nga SHBA-të, pasi shumë nga dokumentet kanë qenë në duart e amerikanëve”, thotë Michael Mulroy, ish-zyrtar i lartë i Pentagonit.
Zyrtarët amerikanë thanë se hetimi është në fazat e hershme dhe ata që e drejtojnë atë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që elementë pro-rusë të jenë pas rrjedhjes. Kjo shihet si një nga shkeljet më serioze të sigurisë që nga koha kur mbi 700,000 dokumente, video dhe raporte diplomatike, u shfaqën në faqen e internetit “WikiLeaks” më 2013.
Pas zbulimit të dokumenteve, agjencia e lajmeve “Reuters” ka shqyrtuar më shumë se 50 dokumente të etiketuara “Sekret” dhe “Tepër Sekret” që u shfaqën për herë të parë muajin e kaluar në rrjetet sociale, duke filluar me ‘Discord’ dhe ‘4Chan’.
Reuters nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumenteve. Disa, që japin shifra të viktimave në fushën e betejës nga Ukraina, duket se ishin ndryshuar për të minimizuar humbjet ruse.
Nuk është e qartë pse të paktën njëri dokument është shënuar i paklasifikuar, por përfshin informacione tepër sekrete. Disa dokumente janë të shënuara “NOFORN”, që do të thotë se ato nuk mund t’u jepen shtetasve të huaj.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha të dielën se agjenci të shumta po punojnë për të vlerësuar ndikimin e rrjedhjes së dokumenteve tepër sekrete tek siguria kombëtare.
“Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të shqyrtojë vlefshmërinë e dokumenteve që qarkullojnë në faqet e rrjeteve sociale dhe që duket se përmbajnë materiale të ndjeshme dhe tepër sekrete”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh.
Zonja Singh tha se siguria kombëtare është përparësia më e lartë për Pentagonin dhe se zyrtarët amerikanë janë “angazhuar me aleatët dhe partnerët dhe kanë informuar komisionet përkatëse të Kongresit për zbulimin”.
Një nga dokumentet, i datës 23 shkurt dhe i shënuar “Sekret”, përshkruan në detaje se si Ukraina, me normën aktuale të përdorimit, rrezikon të mbesë pa sisteme të mbrojtjes ajrore deri më 2 maj .
Një informacion i tillë mund të jetë i dobishëm për forcat ruse dhe Ukraina tha se presidenti i saj dhe zyrtarët e lartë të sigurisë u takuan të premten për të diskutuar mënyrat për të parandaluar rrjedhjet.
Vëzhgimi i aleatëve
Një dokument tjetër, i shënuar “Tepër Sekret” nga një informacion i mbledhur nga Agjencia Qëndrore e Inteligjencës (CIA) që mban datën 1 mars, thotë se shërbimi sekret i Izraelit “Mossad” po inkurajonte protesta kundër planeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të forcuar kontrollin mbi Gjykatën e Lartë të Izraelit.
Dokumenti vinte në dukje se SHBA-të e siguruan këtë informacion përmes një mënyre që sugjeron se Shtetet e Bashkuara kishin spiunuar një nga aleatët e saj më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë të publikuar të dielën, zyra e kryeministrit Netanyahu e cilësoi informacionin si “të pavërtetë dhe pa asnjë bazë”.
Një dokument tjetër jep detaje të diskutimeve të brendshme midis zyrtarëve të lartë të Koresë së Jugut në lidhje me presionin e SHBA-së mbi Seulin, për të ndihmuar furnizimin me armë të Ukrainës dhe politikën e saj për të mos e bërë këtë.
Një zyrtar presidencial i Koresë së Jugut tha të dielën se vendi ishte në dijeni të raporteve në lidhje me dokumentet e klasifikuara dhe se planifikon të diskutojë “çështjet e ngritura” me Uashingtonin.
Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se ndërsa ekzistonte shqetësimi për rrjedhjen në Pentagon dhe agjencitë e inteligjencës, dokumentet flasin për atë se si ishte situata para më shumë se një muaji dhe ato nuk përmbajnë vlerësimet më të fundit.
Dy zyrtarët thanë se ushtria dhe agjencitë e inteligjencës po hulumtonin proceset e tyre për të kuptuar se deri në çfarë niveli shpërndahen informacionet e klasifikuara brenda SHBA-së.
Zyrtarët po shikojnë se çfarë motivesh do të kishte një zyrtar amerikan ose një grup zyrtarësh për të nxjerrë informacione të tilla të ndjeshme, tha një nga zyrtarët që foli për Reuters.
Ai tha se hetuesit po shikonin katër ose pesë teori, që nga mundësia e një punonjësi të pakënaqur, deri tek një kërcënim i brendshëm, që në mënyrë aktive donte të minonte interesat e sigurisë kombëtare të SHBA./VOA