Vuçiq u thotë përfaqësuesve të serbëve të veriut: Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova në Rashkë, që gjendet në jug të Serbisë.
Në këtë takim, që është i hapur për publikun, po marrin pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe ministra të tjerë serbë.
Presidenti serb foli edhe për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, që mbahen më 23 prill. Ai u bëri thirrje qytetarëve në Kosovë që të jenë të bashkuar dhe të sillen sipas vendimeve që do të merren.
“[Kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut”, tha ai.
Gjatë takimit ai tha se Kosova është e interesuar që Serbia ta njohë atë de facto dhe de jure dhe se “ata nuk janë aspak të interesuar se kur do të krijohet Asociacioni” i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Vuçiq tha se duhet të formohet Asociacioni në mënyrë që serbët të kthehen në institucione.
Presidenti serb në nisje të takimit prezantoi stimuj ekonomikë për komunitetin serb në Kosovë, që tha se do të financohen nga buxheti i Serbisë. Ai tha më pas do të punojë edhe për situatën e sigurisë politike dhe problemeve të tjera politike, shkruan REL.
“Kemi parë te njerëzit në Kosovë që janë të frikësuar. E dimë që ata nuk janë frikacakë. Por, ne po përpiqemi të tregohemi konstruktivë që ta ruajmë paqen”, tha Vuçiq, duke shprehur pikëpamjen e tij për gjendjen në veri të Kosovës.
“Kurti është angazhuar çdo ditë që të ndodhin gjëra të shëmtuara, incidente. Por, nuk është incident kur shtini në njeriun që ta vrisni”, tha Vuçiq, duke iu referuar plagosjes së një pjesëtari të komunitetit serb në veri të Kosovës nga Policia e Kosovës, më 10 prill.
Vuçiq tha se në përputhje me atë që përfaqësuesit politikë të serbëve do të thonë në takim, do të “bëjnë konkludime” dhe do të mundohen t’i obligojnë autoritetet serbe që t’iu përmbahen atyre.
Vuçiq kishte njoftuar për këtë takim në Rashkë javën e kaluar, kur ai tha se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova do të dalin me një “platformë të përbashkët” për zgjedhjet në veri të Kosovës “dhe për të gjitha ngjarjet e ardhshme”.
Siç ka thënë ai, platforma do të përfshijë masa të sigurisë, politike, ekonomike dhe sociale për popullatën serbe në Kosovë, por Vuçiq nuk ka treguar konkretisht se për çfarë masash bëhet fjalë.
Presidenti serb po ashtu ka përsëritur se “përfaqësuesit serbë” nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që planifikohen të mbahen më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri. Bashkimi Evropian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.