Gëzohet Denisi! Për 5 ditë mblidhen 12 mijë euro, falënderon bamirësit që mundësuan të vendoset protezë në këmbën e tij
Brenda pesë ditësh u mblodhën të hollat për protezën e të riut Denis Selko, e cila kushton 12 mijë euro.
Pas publikimit të lajmit në TV21 bamirësit nuk u kursyen për ta ndihmuar Denisin të cilin e goditi vetura, e si pasojë e kishte humbur këmbën.
Aksionin për mbledhjen e të hollave e zhvilloi Shoqata “Bamirësit Strugë”.
“Edhe pse është një shumë e madhe në raste të këtilla si kjo e Denisit një njeri punëtor, që vjen nga një familje punëtore që jeta e sfidoi në një mënyrë shumë të vështirë nuk ishte shumë e vështirë për tu mbledhur shuma e nevojshme. Kemi një rrjet donatorësh që kanë besim të madh në punën tonë dhe gjithmonë janë të gatshëm për të ndihmuar nevojtarët”, tha Shkëlzen Ajrualli – Shoqata e Bamirësve në Strugë.
Denisi tanimë gjendet në spital për vendosjen e protezës. Ai nëpërmjet një mesazhi dërguar TV21, falënderoi të gjithë bamirësit që dhuruan para për protezën e tij.
“Ju jam mirënjohës dhe falënderues, si juve si medium dhe të gjithë bamirësve që në kohë kaq të shkurtër mblodhën të hollat që unë të mund të vendos protezën dhe t’i kthehem përditshmërisë. Unë nuk kam fjalë për të përshkruar këtë gëzim, shpresoj dhe uroj që sa më shpejtë gjithëve tua kthejë me të mira të gjithë këtë që bëtë për mua”, theksoi Denis Selko.
Denisi 27 vjeç në gusht të vitit të kaluar duke shpërndarë peshk në Pogradec, u përplas për tokë nga një veturë e cila kishte ikur nga vendi i ngjarjes. Nga gjakderdhja e madhe Denisi humbi këmbën dhe shpresa e tij e vetme për ta kthyer përditshmërinë ishte proteza, të cilën nuk kishte mundësi që ta paguaj vet.