MaqedoniTop Lajme

Qeveria vendos të ngrijë çmimet e frutave dhe perimeve deri më 31 maj

Shpërndaje

Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria në seancën e sotme ka marrë Vendim që për një muaj të vazhdohet afati i Vendimit për përcaktimin e çmimeve më të larta të frutave dhe perimeve në tregtinë me shumicë dhe pakicë.

Duke pasur parasysh se ky Vendim kufizon rritjen e çmimeve në tregtinë me pakicë, dhe situata e tregut tregon se çmimet ende nuk janë stabilizuar, ishte nevoja për të propozuar një ndryshim në Vendim, i cili zgjat periudhën e aplikimit deri më 31 maj 2023, kumtoi Ministria e Ekonomisë.

Me këtë vendim janë përcaktuar çmimet më të larta në tregtinë me pakicë të një pjese të caktuar të frutave dhe perimeve, në vlerë prej:

  • deri në 95 denarë për kilogram domate të freskëta,
  • deri në 95 denarë për kilogram tranguj të freskët,
  • deri në 70 denarë për kilogram qepë,
  • deri në 100 denarë për kilogram speca jeshil të freskët,
  • deri në 95 denarë për kilogram fasule,
  • deri në 110 denarë për kilogram thjerrëza,
  • deri në 75 denarë për kilogram banane,
  • deri në 60 denarë për kilogram portokall,
  • deri në 65 denarë për kilogram mandarina dhe
  • deri në 60 denarë për kilogram limon.