BotaTop Lajme

Biletë mujore për 49 euro për të udhëtuar kudo brenda në Gjermani

Shpërndaje

Verën e kaluar, pas një rritje të papritur të çmimit të karburantit, në Gjermani ishte krijuar bileta mujore për udhëtim me trafikun publik lokal dhe rajonal me një çmim prej vetëm nëntë euro duke sjelle një shitje prej rreth 52 milionë bileta të këtilla mujore.

Në tre muajt e verës së vitit 2022 kjo biletë është shfrytëzuar në masë të madhe nga udhëtarët që çdo ditë shkojnë në punë, por edhe për ekskursione dhe udhëtime në të gjithë Gjermaninë.

Kjo bëri që politikanët gjermanë të mendojnë edhe për një biletë mujore pasardhëse, si një model i suksesshëm i qarkullimit. Kjo biletë është futur në fuqi më 1 maj 2023, me emrin “Deutschlandticket”, por me një kosto më të lartë që kap vlerën e 49 euro në muaj. Megjithatë edhe kjo kosto është shumë më lirë se çdo abonim tjetër për udhëtime me trafikun publik brenda një muaji.

Bileta mujore është e vlefshme për transport urban dhe rajonal kudo në Gjermani për hekurudha, metro, tramvajë, autobusë, për linja të caktuara transporti. Por kjo biletë nuk vlen për trenat që udhëtojnë në largësi më të mëdha dhe me shpejtësi të lartë (IC, EC, ICE) ose në linjat e autobusëve që qarkullojnë mes qyteteve më të largëta.

Pritet që në dy vitet e ardhshme të mbetet ky çmim, por pas dy vitesh mund të shtrenjtohet, për shkak të inflacionit.

Disa qytete kanë vendosur ta subvencionojnë këtë biletë nga buxhetet e veta, kështu që në Berlin për shembull bileta mujore kushton vetëm 29 euro. Madje edhe shumë kompani kanë vendosur të bashkë financojnë transportin e punonjësve të tyre/DW