RajoniTop Lajme

Kurti: Zhdukja e Ukshin Hotit, krim i pazbardhur i Serbisë

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar veprimtarin Ukshin Hotin, në 24 vjetorin e zhdukjes së tij.

Kurti ka thënë se zhdukja e tij është krim i pazbardhur i Serbisë.

“Pas torturave që i përjetoi si i burgosur politik nga regjimi serb, atdhetari dhe intelektuali Ukshin Hoti u lirua nga burgu në mes të luftës. Më 16 maj 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës, ai u zhduk. Zhdukja e tij është është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve”, ka pohuar Kurti.

Kryeministri ka thënë se me deklaratën për personat e zhdukur, Serbia ka pranuar krimet e zhdukjes me forcë gjatë luftës.

“Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, tha ai.

Kurti theksoi se “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia”.

“Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”.

Ndryshe, më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.

Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.