RajoniTop Lajme

Asamblisti serb i Mitrovicës së Veriut: Mua nuk më intereson Asociacioni

Shpërndaje

Asamblisti i pavarur i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Dusan Milunoviq ka thënë se në pozitën aktuale nuk i intereson themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se si asamblist është përfaqësues i të gjithë serbëve.“Kur e dëgjoj fjalën Asociacion më pengon ndonjëherë. Unë jam përfaqësues i të gjithëve njerëzve edhe të listës serbe, mua nuk më intereson Asociacioni, si asamblist unë e di qartë të drejtat dhe detyrimet, unë punoj sipas Ligjit për qeverisjes lokale, unë jam përfaqësues i të gjithë njerëzve”- ka thënë Milunoviq.

Tutje, Milunoviq në debatin me temën “Komuna e Mitrovicës së Veriut – sfidat dhe mundësitë”, ka folur edhe për legjitimitetin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës.

Milunoviq tha se atë e votuan 209 qytetarë.

“Unë kam ardhur si asamblist, unë si përfaqësues kam qenë në listë dhe 209 vota i kam fituar e disa nga Lista Serbe me 17 vota kanë qenë përfaqësues dhe atëherë legjitimiteti nuk ka qenë pikëpyetje”- ka thënë ai.

Milunoviq ka treguar se kanë formuar Komisionin për komunitete minoritare dhe nuk do që të dalë jashtë politikës lokale.

“Sfida më e madhe është bashkëpunimi mes Qeverisë. Ne duhet të merremi me punën tonë të ndryshojmë gjerat në interesin e njerëzve”- ka thënë ai duke shtuar se qytetarët në Mitrovicë të veriut e pyesin çdo ditë për problemet me të cilat përballen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar ‘draft-versionin’ e tij për të rregulluar çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë, pasi që ka thënë se fundamentalisht nuk pajtohet me draftin e propozuar nga ekipi menaxhues gjatë takimit të mbajtur me 2 maj në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq në Ohër, më 18 mars, janë dakorduar për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.