RajoniTop Lajme

Serwer: Hill ia vështirësoi punën Hovenierit me deklaratën për Kurtin

Shpërndaje

Ish-diplomati dhe profesori amerikan Daniel Serwer, ka analizuar në një shkrim deklaratat e fundit të Ambasadorit të SHBA’së në Beograd Christopher Hill për Kryeministrin Albin Kurti.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, kishte thënë Hill.

Për Serwer, kjo deklaratë ka probleme.

“Nuk është vetëm joprofesionale. Edhe kolegut të tij në Prishtinë ia vështirëson punën. Herën e fundit që zyrtarët amerikanë sulmuan kryeministrin Kurti dhe madje organizuan rënien e tij nga pushteti, ai u kthye pas zgjedhjeve me një mandat të ripërtërirë dhe një shumicë më të madhe. Ai ka lënë të kuptohet së fundi se mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme, me sa duket duke shpresuar që në këtë mënyrë t’u tregojë amerikanëve se ka mbështetjen e qartë të shumicës së Kosovës”, ka shkruar Serwer.

Tutje Serwer ka bërë vërejtje për vlerësimet e Hill për Presidentin e Serbisë edhe pse Vuçiq ka mobilizua ushtrinë dhe e ka dërguar në kufi me Kosovën.

“Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes së normalizimit të shkurtit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për të cilën amerikanët thonë se është ligjërisht e detyrueshme. Ajo ndalon kërcënimin ose përdorimin e forcës (neni 3)”, ka shkruar Serwer.

Serwer ka vazhduar tutje duke thënë se, Hill, në vend që të denoncojë këtë shkelje, ka përmendur lojën e serbëve me litarë me ushtarët e NATO’s

“Serbët e Kosovës e dinë se NATO-ja sot i mbron ata sikur dhe shqiptarët në jug të lumit Ibër. Ishin bandat serbe të dërguara kryesisht nga presidenti Vuçiq që bënë punën e pistë të sulmit ndaj ushtarëve të NATO-s. Për këtë, ambasadori Hill nuk thotë asgjë”, shkruan Serwer.

Analisti amerikan ka komentuar presionin e Hill për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës si pjesë e marrëveshjes së vitit 2013 nga e cila Kosova do të përfitonte shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë territorin e saj.

“Beogradi, megjithatë, nuk e ka lejuar këtë shtrirje Ka ka rezistuar ndaj përpjekjeve të Prishtinës për t’i bërë serbët në veri të Kosovës të përdorin targat e Kosovës, ka tërhequr zyrtarët nga institucionet e Kosovës në veri, ka mbështetur dhe zbatuar bojkotin serb të zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe ka mbajtur atje forcat klandestine serbe të sigurisë, të cilët bashkëpunojnë me rebelët e dërguar nga Beogradi. Jo të gjithë simpatizanziuesit e ankesave të serbëve janë aq të verbër sa ambasadori (Hill) ndaj asaj që po ndodh në veri” shkruan Serwer.

Sidoqoftë, diplomati i pensionuar amerikan i ka kërkuar Kosovës të dalë me një propozim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Mendoj se Prishtina duhet të prezantojë propozimin e saj për AKMS. Kryeministri Kurti ka përmendur si model të mundshëm Këshillin Kombëtar Serb në Kroaci. Ai duhet ta shprehë atë ose propozimin e tij në një propozim me shkrim plotësisht në përputhje me kushtetutën e Kosovës, siç kanë garantuar amerikanët që çdo AKMS duhet të jetë. Të shohim nëse Vuçiq i mirë e blen këtë. Edhe nëse e bën, garancia amerikane duhet të jetë me shkrim me një angazhim për të monitoruar zbatimin në baza të rregullta”, ka theksuar Serwer.

Ai ka kritikuar Departamentin Amerikan të Shtetit për politikën që është duke e ndjekur në Ballkan duke theksuar se Sekretari Blinken duhet ta dijë për gabimet.

“Ai duhet të urdhërojë një rivlerësim të shpejtë dhe korrigjim të kursit” ka shkruar profesori amerikan.

Duke i komentuar deklaratat e Hill, që vuri në pikëpyetje partneritetin e Kurtit me amerikanët tha se edhe për Departamentin Amerikan të Shtetit

“PS: Edhe për Departamentin e Shtetit, komentet e Hillit për Kurtin ishin të tepërta. Kështu që Gabe Escobar duhej t’i korrigjonte ato, mendoj”, ka shkruar Serwer.