Maqedoni

Lëvizja Besa: Vënia e Ramiz Merkos në listë të zezë, është shembulli tipik i funksionarit të BDI-së

Shpërndaje

Ramiz Merko në listën e zezë Amerikane, të jep dorëheqje sa më shpejtë!

Ajo për të cilën Lëvizja BESA po paralajmëron tashmë një kohë të gjatë, se kjo Qeveri nuk është asgjë më shumë përveç se një Qeveri e krimit dhe korrupsionit, sot u vërtetua edhe nga partneri jonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vënia në listë të zezë e kreut të Strugës Ramiz Merko, është shembulli tipik i funksionarit të BDI-së, të udhëhequr nga Artani dhe Aliu. Besojmë fuqishëm se ky është vetëm fillimi i demaskimit të korrupsionit dhe funksionarëve të inkriminuar të BDI-së. Presim që kjo listë ditëve në vijim të plotsohet me funksionarët që kanë keqpërdorur dhe keqpërdorin fondet vendore dhe të huaja në emër të “investimeve”. Funksionarë të përfshirë në krim dhe korrupsion, dhe funksionarë që përveç shantazhit, hajnisë dhe keqpërdorimeve, nuk bëjnë asgjë tjetër, ndërsa si rezultat kemi ikjen e përditshme të popullatës jo nga ky vend, por nga kjo Qeveri e korruptuar dhe inkriminuar.

Kërkojmë nga kreu i Strugës Merko, që të jep dorëheqje një ditë e më parë, dhe me këtë, të liroj popullatën e Strugës, dhe Strugën e cila, nga keqfunksionimi, nga një qytet i kulturës dhe artit, është shndërruar në qytet pa prespektivë dhe pa asnjë shpresë për rininë Strugane.

E që kjo e keqe të jetë edhe më e madhe, pikërisht kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe megafoni i tij Osmani, javë më parë dolën me qëndrimin për veting që për një kohë të gjatë e kërkojnë me këmbëngulje.

Pyesim publikisht Ahmetin dhe hajnat e tij, për çfarë vetingu flisni, kënd do e lustroni kur pikërisht janë funksionarët tuaj ata që vjedhin, mashtrojnë, ndërhyjnë në gjyqësor e bëjnë kërdi në Qeveri, që e konfirmoi së fundmi edhe partneri jonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zgjedhjet e parakohshme dhe ikja e BDI-së nga Qeveria do ishte zgjidhja më e mirë për këtë vend dhe këtë popull, andaj kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme, jo vetëm të Merkos por të gjithë BDI-së nga Qeveria e turpit.

Ju jeni e keqja e këtij vendi, andaj mos e kërkoni sherrin në oborr të huaj.

Lëvizja BESA, falënderon SHBA-të, për ndihmën që i japin këtij vendi, në drejtim të pastrimit të këtij llumi që ka kapluar vendin nga krimi e korrupsioni i BDI-së dhe keqbërësve të kësaj partie.

Lëvizja BESA