MaqedoniTop Lajme

Tkurret shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Shpërndaje

Shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut i ka humbur edhe tre deputetë, duke e rrezikuar kështu jo vetëm miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por rrezikon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Tani numri i deputetëve të pozitës në Kuvend ka rënë nga 64 në 61, që do të thotë se mjafton largimi vetëm edhe i një deputeti që opozita ta ngrejë mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Izet Mexheti, të hënën njoftoi për largimin nga BDI-ja dhe formimin e një lëvizjeje të re politike. Atij iu bashkua edhe një deputet tjetër i BDI-së, si dhe një deputet i pavarur, i cili më parë i mbështeste politikat e BDI-së.

“Ne deklarojmë se janë shterur të gjitha mundësitë për të funksionuar brenda BDI-së, prandaj japim dorëheqje nga të gjitha funksionet në BDI. Nuk jemi më anëtarë të BDI-së dhe që tani hapim një faqe të re, një fillim të ri”, deklaroi Mexhiti. Ai e arsyetoi largimin me pakënaqësinë me punën e Qeverisë, si dhe siç u shpreh ai, me kapjen e partisë nga disa persona, mungesën e mendimit ndryshme dhe çështje të tjera.

Largimi i tre deputetëve u bë në kohën kur shumica parlamentare po bënte gjithçka për ta siguruar mbështetjen prej dy të tretave në Kuvend për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Këto ndryshime, që kërkohen me ngulm nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), janë vendimtare për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Ndryshimet kanë të bëjnë me përmbushjen e një marrëveshjeje me Bullgarinë, e cila si shtet anëtar i BE-së, ka kërcënuar me përdorimin e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, nëse nuk zgjidhen çështjet bilaterale për gjuhën dhe identitetin maqedonas, e në veçanti për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën maqedonase si popull shtetformues.

Ndryshimet duhet të miratohet deri në nëntor kur edhe përfundon procesi i skriningut, në mënyrë që t’i hapet rruga fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Nëse kjo nuk ndodh, Maqedonia e Veriut rrezikon të “izolohet”, siç kanë deklaruar ministrat e jashtëm të Austrisë, Gjermanisë, Francës, Sllovakisë, Çekisë dhe Polonisë, gjatë vizitave të fundit në Shkup.

Tkurrjen e shumicës parlamentare e mirëpriti opozita maqedonase që drejtohet nga OBRM-PDUKM-ja, e cila tash e një kohë të gjatë kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi ajo është e bindur se ndryshimet kushtetuese nuk do të miratohen.

OBRM-PDUKM-ja është kundër ndryshimit të Kushtetutës, me arsyetimin se me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, nuk do të marrë fund, sipas saj, “diktati bullgar” ndaj popullit maqedonas.

“Me ndërrimin e kësaj qeverie do të vijnë njerëz që do të dinë ta nxjerrin vendin nga kjo gjendje, në të cilën ndodhet. Brenda disa muajve do të kemi një qeveri të re që do të drejtohet nga OBRM-PDUKM-ja”, tha kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski.

Ai tha se asnjë deputet i partisë së tij nuk do ta mbështesë ndryshimin e Kushtetutës ndërsa këtë, sipas tij, nuk do ta bëjnë as deputetët e partive tjera, prandaj edhe pret zgjedhje të parakohshme.

Shumicës parlamentare disa muaj më parë iu larguan edhe disa parti të vogla maqedonase që kishin nga një deputet dhe partia shqiptare Alternativa me tre deputetë. Por, shumica vendosi që ta marrë në qeveri partinë Aleanca për Shqiptarët, e cila ka tetë deputetë.

Por, as ky veprim nuk e rriti numrin e deputetëve të pozitës në 64, e cila ka ngelur me 61 deputetë pas përçarjeve brenda BDI-së.

Pavarësisht kësaj, kryeministri Kovaçevski deklaroi se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.

“Nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për momentin kemi Qeveri, e cila kujdeset për interesat kombëtare dhe dinjitetin e qytetarëve, pa i ndarë ata në baza etnike ose fetare. Kujdesemi pa dallime për të gjithë. Kështu që vitin e ardhshëm fillimisht do të kemi zgjedhje presidenciale dhe në gjysmën e dytë të muajit korrik zgjedhje parlamentare”, tha Kovaçevski.

Qeveria nuk është e interesuar për ndryshimet kushtetuese pasi tashmë është e vetëdijshme se ato vështirë se do të miratohen andaj tani është e fokusuar në përfundimin e mandatit, pra të mos ketë zgjedhje, tha deputeti Fadil Zendeli nga lëvizja opozitare, Besa.

“Qeveria është duke blerë kohë që sa më shumë ta shtyjë procesin që të mos ketë zgjedhje të parakohshme dhe ta shtyjë mandatin qeverisës deri në fund. Kjo është kryesore brenda e saj e jo se si t’i miratojë ndryshimet kushtetuese apo si të punojë në të mirë të qytetarëve të vendit”, u shpreh Zendeli.

Qeveria që drejtohet nga kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski u votua më 16 janar 2022 me 62 vota të deputetëve.

Ai në këtë post zëvendësoi ish-kryeministrin Zoran Zaev, i cili dha dorëheqje për shkak të humbjes së thellë të LSDM-së në zgjedhjet lokale./REL/