Muslimanët të shqetësuar nga sulmet ndaj xhamive në Gjermani
Sulmet në rritje ndaj xhamive dhe letrat kërcënuese të dërguara në vendet perëndimore, veçanërisht në Gjermani, i shqetësojnë muslimanët në vend.
Përfaqësuesit e organizatës ombrellë islame, ftuan zyrtarët dhe politikanët e vendeve përkatëse të punojnë për zgjidhjen e këtij problemi, veçanërisht në lidhje me sulmet dhe kërcënimet e kryera nga anëtarët e ekstremit të djathtë ose pjesëtarët e organizatave terroriste.
Kryetari i Bashkësisë Islame Vizioni Kombëtar (IGMG), Kemal Ergün për Anadolu tha se sulmet ndaj xhamive, për fat të keq, vazhdojnë të rriten.
“Përveç sulmeve, xhamitë dhe institucionet tona marrin gjithashtu letra kërcënuese që i referohen organizatës terroriste të Nëntokës Kombëtare Socialiste (NSU) që vrau shumë nga njerëzit tanë në të kaluarën. Këto zhvillime nuk do të na frikësojnë apo dobësojnë. Megjithatë, shkalla shumë e ulët e zbulimit të autorëve të sulmeve që mund të kushtojnë jetën e njerëzve tanë, si zjarrvënia ndaj xhamive dhe institucioneve tona, na bën të mendojmë”, tha ai.
“Ky është një problem serioz. Ne presim që institucionet e sigurimit të shtetit të shqyrtojnë çdo provë në detaje dhe të identifikojnë autorët. Edhe politikanët duhet t’i vendosin këto sulme në rendin e ditës shumë më seriozisht. Sepse nocioni që qëndron në themel të këtyre sulmeve quhet racizëm. Fatkeqësisht, racizmi është pjesë e Gjermanisë. Fakti që partia politike raciste dhe fashiste e Gjermanisë është e dyta më e fortë në sondazhet e fundit, mjafton për të treguar se në çfarë klime të rrezikshme po shkojmë”, shtoi Ergün.
“Pritja jonë është që autoritetet të kujdesen për muslimanët”
Burhan Kesici, kryetar i Këshillit Islam të Gjermanisë, deklaroi se intensifikimi i sulmeve nëpër xhamitë në kohët e fundit i ka shqetësuar ato.
“Pritja jonë është që autoritetet të kujdesen për muslimanët”, tha Kesici.
“Deri më tani, politikanët dhe shkencëtarët e kanë kundërshtuar shumë pak. Ka rreth 1.500 xhami në Gjermani. Mendoj se këto sulme dhe kërcënime do të zvogëloheshin ndoshta, nëse të premteve dhe fundjavave para xhamive do të kalonte policia, për të treguar se këto vende janë nën vëzhgim”, u shpreh ia duke shtuar se grupi i krahut të djathtë ka synuar muslimanët për një kohë të gjatë.