Profesorët e Universitetit të Tetovës morën pjesë në punëtorinë “The impact of pandemic years to informatics education: review and next steps“
Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Agon Memeti, së bashku me dekanin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof. Dr. Alit Bajramin, si dhe përgjegjësin e programit studimor të Informatikës, Prof. Dr. Florim Idrizi, morën pjesë në punëtorinë “The impact of pandemic years to informatics education: review and next steps“, të financuar nga programi i DAAD “Dialogue with Universities at western Balkan“, me koordinator Prof. Dr. Klaus Bothe nga Universiteti Humboldt në Berlin – Gjermani, e organizuar në Shkodër – Republika e Shqipërisë. Ne këtë punëtori, prorektori për shkencë i UT-së e prezantoi punimin me titull: Marrëdhëniet mes qëndrimeve të studentëve ndaj mësimit online dhe faktorëve të mjedisit gjatë pandemisë Covid-19, me rast studimi studentët e Universitetit të Tetovës.
Ky studim ka për qëllim të jep një verifikim shkencor marrëdhënies së qëndrimeve ndaj mësimit online dhe faktorëve të mjedisit, pajisjeve, zhurmës dhe shpërqendrimeve nga persona të tjerë, te studentët e Universitetit të Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Studimi i prezantuar në këtë trajnim u ofron institucioneve të arsimit të lartë të dhëna për rëndësinë e faktorëve mjedisorë në relacion me qëndrimet e studentëve për mësim online dhe vlerësimin e tyre për këtë formë të mësimit gjatë pandemisë.
Pjesëmarrës në trajnimin në fjalë kanë qenë shumë universitete nga vendi dhe rajoni, edhe atë: Universiteti i Tiranës, Universiteti i Mariborit, , Universiteti i Kraiovës, Universiteti i Zagrebit , Universiteti i Novi Sadit, Universiteti i Sarajevës, Universiteti i Plovdivit, Universiteti i Rjekës, Universiteti i Beogradit, Universiteti i Budapestit, Universiteti “Shën Kirili dhe me Metodi” i Shkupit, si dhe Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.
Zyra për informim