Miratimi përfundimtar, Parlamenti Evropian nesër vendos për heqjen e vizave për Kosovën

Shpërndaje

Vendimi përfundimtar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të merret nesër rreth orës 12:00 në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Ndërsa, të mekurën pasdite është paraparë të mbahet ceremonia e nënshkrimit.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com, zyrtari për media në Parlamentin Evropian, Janne Ojamo,

“Miratimi përfundimtar i Kuvendit do të shpallet nesër, e martë 18.04, në seancën plenare (duke filluar rreth orës 12:00). Votimi nuk është i nevojshëm në këtë fazë dhe ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14:45”- ka thënë Ojamo për KALLXO.com.

Ky vendim do të shënoj njëherit edhe hapin e fundit e procesit të liberalizimit të vizave, i cili ka zgjatur më shumë se 10 vite prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Pas nënshkrimit, vendimi hyn në fuqi në ditën e njëzetë pas publikimit në Gazetë Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Sipas vendimit, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor 2022, Franca propozoj që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet pikërisht me funksionalizimin e ETIAS-it.

Deri tek kjo mbledhje kishte ardhur pas letrës të cilën presidenca çeke e BE-së ia kishte dërguar vendeve anëtare për të diskutuar për këtë temë.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Bashkimi Evropian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai ishte paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti. Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Historiku i heqjes së vizave

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.

Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.

Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.

Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon, nuk e patën mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës schengen.