Shaqiri sërish premton zgjidhjen e problemit të nxënësve shqiptarë në Veles
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri përmes një shkrimi në rrjetin social facebook tha se ka zhvilluar takimin me kryetarin e komunës për të zgjidhur problemin e nxënësve shqiptarë të Velesit.
“Sot në kabinetin tim edhe njëherë shtjelluam problemet e paraqitura në Shkollën e mesme komunale “Koço Racin” për nxënësit që duan mësimin ta ndjekin në gjuhën shqipe bashkë me drejtorin e shkollës gjegjëse Ilija Popov dhe kryetarin e komunës Veles, Marko Kolev. Ua dorëzova edhe shkresën time të fundit me urdhërin për t’i pranuar nxënësit që duan të mësojnë në gjuhën shqipe në SHMK “Koço Racin” duke u bazuar në të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese. U zotuam të gjithë që problemi do të mbetet e kaluar. U pajtuam të gjithë që në sferën e arsimit duhet të harxhojmë energji për cilësinë dhe jo më për probleme të cilat duhet të jenë të harruara në vendin tonë. Në vend të pyetjes sa nxënës do të duhet të mësojnë në gjuhën amtare të parashtrojmë pyetjen sa nxënës punojnë në inovacione?”, ka njoftuar Shaqiri.
Ndryshe, sot është dita e 12 e fillimit të vitit shkollor dhe 16 nxënësit e gjimnazit “Koço Racin” të Velesit ende nuk kanë një përgjigje konkrete se kur do të fillojnë me procesin arsimor.
Në këtë gjimnaz nga viti i parë deri në të katërt mësojnë mbi 80 nxënës shqiptar të cilët shumicën e lëndeve i ndjekin në gjuhen maqedonase në mungesë të mësimdhënësve shqiptar.