KS diskuton për konfliktin Armeni-Azerbajxhan/ Mbledhja drejtohet nga ministri i Jashtëm shqiptar
Rindezja e konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në rajonin e Nagorno-Karabakh është diskutuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mbledhja është drejtuar nga ministri i ri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, në cilësinë e kryediplomatit të vendit që ka Presidencën e Këshillit këtë muaj.
Bilanci i ofensivës azere, këtë herë shkaktoi 29 viktima armene e menjëherë pas kësaj, palët arritën një marrëveshje armëpushimi, por në cilësinë e kryesuesit të mbedhjes, ministri Hasani ka kërkuar nga palët t’i përmbahen kësaj marrëveshje për të shkuar drejt paqes së qëndrueshme.
“Procesi i normalizimit duhet të intesifikohet. Negociatat për një traktat paqe duhet të vijojnë. Respektimi i ndërsjelltë i sovranitetit dhe integritetit territorial duhet të jetë baza solide për të trajtuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet. Të drejtat e armenëve etnikë që jetojnë në Azerbajxhan duhet të respektohen.”
Konflikti në rajonin e Nagorno-Karabak e ka origjinën e tij në fillim të shekullit të XX, kur Bashkimi Sovjetik vendosi ta bënte këtë rajon një zonë autonome të Azerbajxhanit Sovjetik. Prej atëherë, ai rindizet herë pas here duke sjellë përplasje ushtarake që shkaktojnë viktima nga të dy palët.