Sezoni i ri i ngrohjes, cunami çmimesh nëse nuk vendoset gyp te “Bellasica”

Shpërndaje

Cunami të çmimeve për 60 mijë shkupjanë paralajmëroi kryetari i Komisionit rregullator për energjetikë, Marko Bislimovski, në intervistë për TV21, nëse nuk vendoset gyp i ri i ngrohjes te ura “Bellasica”. Instalimi i dëmtuar para 6 muajve ende nuk është sanuar, ndërsa gypi alternativ nuk mund të arrijë kapacitetin e njëjtë.

“Nëse nuk e kemi atë gyp, shpenzimet për energjinë termike do të rriten edhe atë në mënyrë drastike do të rritet çmimi i energjisë termike pas çka do të na paraprijë një cunami i çmimeve dhe këtë nuk do ta lejojmë prandaj disa herë kam thënë, nëse nuk shohim se kanë filluar aktivitetet e punës për rregullimin e gypit, nuk do të sjellim vendim, kush dojë le të pësojë humbje, ky është problemi i tyre”, tha Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.

60% e energjisë termike për Shkupin sigurohet nga TE-TO, ndërsa 40% nga ngrohtoret në Shkup, çmimi i cili është tre herë më i lartë. Mos vendosja e gypit të ri, do të pengonte furnizimin e energjisë termike nga TE-TO, por gjithashtu do të vërë në rrezik edhe instalimin elektrik, për shkak se nuk është i përgatitur për numrin e madh të qytetarëve nga Qendra, Karposhi dhe Aerodromi për tu transferuar në nxehje me energji elektrike.

“Nëse nuk vërejmë se atje kanë filluar aktivitetet për vendosjen e gyp sjellësit, ne si KRRE nuk do të sjellim vendim, për shkak se ai gyp sjellës është shumë i rëndësishëm, për shkak se në atë mënyrë do të mundet që sasi më të mëdha të energjisë termike të prodhuar TE-TO të shpërndahen në pjesën e mbetur të qytetit të Shkupit, përkatësisht në pjesën perëndimore të Shkupit. TE-TO është i rëndësimesh për shkak se çmimi i energjisë termike i prodhuar nga TE-TO në vitin 2022 ka qenë tre herë më i ulët sesa nga ngrohtoret tjera në Shkup”, deklaroi Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.

Bislimovski në bisedë për TV21 shtoi se për fat të keq në 30 vjetët e fundit në Maqedoni, kushdo që është fajtor për diçka, në fund paguajnë qytetarët. Thotë se ajo praktikë më në fund do të ndalohet. Nëse nuk sillet vendim për energjinë termike, ndërsa fillon sezoni i nxehjes, qytetarë do të paguajnë sipas çmimit të vjetër. Ndërsa sjellja e vendimit të ri, do të thotë çmim i njëjtë për të gjithë qytetarët, masë e cila është sjellë me qëllim që të rritet numri i shfrytëzuesve, për shkak se shpenzimet për shpërndarje do të ulen. Sezoni i kaluar i nxehjes ishte i vetmi në rajon i cili nuk e ndryshoi regjimin e temperaturës./TV1