MaqedoniTop Lajme

Universiteti i Tetovës mori pjesë në konferencën e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike

Shpërndaje

Në Konferencën e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, që këtë vit u mbajt në Universitetin e Tuzllës në Bosnje dhe Hercegovinë, Universiteti i Tetovës u përfaqësua nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti dhe Prorektori për Financa, Prof. Dr. Faton Shabani.

“Bashkëpunimi akademik, sfidat dhe perspektivat e ardhshme në Ballkan” ishte tema bosht e kësaj konference, në të cilën diskutuan rektorë të shumë universiteteve anëtarë të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike. Në kuadër të kësaj konference u mbajt paneli me temë “Ndërkombëtarizimi në Universitetet e Ballkanit, potencialet dhe sfidat”, në të cilin ishte pjesë Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti. Me këtë rast u tha se ndërkombëtarizimi i universiteteve, si proces i shumanshëm, që përfshin lëvizshmërinë akademike, zhvillimin e kurrikulës, bashkëpunimin kërkimor dhe shkëmbimin kulturor, si një aspekt gjithnjë e më qendror i arsimit të lartë në mbarë botën. Ai përfaqëson jo vetëm një mundësi për institucionet akademike për të rritur pozitën e tyre globale, por edhe një mjet për të nxitur dialogun dhe mirëkuptimin ndërkulturor.

Prorektorë nga disa universitete ne rajon diskutuan rreth nismave dhe strategjive të ndryshme të ndërmarra nga universitetet e Ballkanit për të ndërkombëtarizuar kampuset e tyre. Gjithashtu u diskutuan sfidat që ata hasin, duke filluar nga burimet dhe infrastruktura e kufizuar deri te ruajtja e identiteteve kulturore dhe përafrimi i sistemeve akademike me standardet globale. Qëllimi ishte nxitja e një bisede konstruktive dhe e thellë që mund të kontribuojë në zhvillimin e vazhdueshëm të arsimit të lartë në Ballkan dhe të ndriçojë shtigjet e mundshme përpara. Gjatë konferencës gjithashtu u përditësua marrëveshja e bashkëpunimit në mes UT dhe Universitetit të Trakisë (Trakya University).

Në shenjë respekti për bashkëpunimin ndër vite, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli nikoqirit të konferencës, Rektores Prof. Dr. Nermina Hadzigrahic njëherësh dhe presidente e asociacionit BUA i dhuroi portretin e Prof. Dr. Fadil Sulejmani, Monografinë dhe disa numra special të revistave të njësive akademike në UT.

Zyra për informim