MaqedoniTop Lajme

Lloga-Haxhiu: Anëtarësimi në BE sjell përparësi për qytetarët tanë dhe për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me vendet e rajonit

Shpërndaje

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga realizoi takim me ministren e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, si pjesë e Forumit dyditor ministror BE-Ballkani Perëndimor për drejtësi dhe punë të brendshme, i cili mbahet këtë javë.

Postimi nga ministri Lloga:
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian sjell përparësi për qytetarët tanë dhe për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me vendet e rajonit.

Me kolegen time nga Republika e Kosovës, Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, diskutuam për vizionin e përbashkët, vlerat dhe sfidat e përbashkëta me të cilat përballen vendet tona.
Reformat në sistemin gjyqësor, pavarësia e sistemit dhe profesionalizmi i të zgjedhurve të pushtetit gjyqësor janë e vetmja rrugë për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të siguruar një sistem funksional dhe të drejtë.

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës, kanë shumë përvoja pozitive që mund t’i ndajnë për të hapëruar me sukses drejt rrugës evropiane. Ne jemi një hap para hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe po shënojmë progres në shumë fusha, që është një përvojë e dobishme për Kosovën.

Në anën tjetër, Republika e Kosovës është një histori suksesi dhe shembull për rajonin në fushën e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë, proces ky që është prioritet edhe për vendin tonë.