Marrëveshja me kompaninë kineze skadon më 31 dhjetor – Autostrada Kërçovë-Ohër do të mbetet në gjysmë?
Pas paralajmërimit për ndërprerjen e mundshme të marrëveshjes me kompaninë kineze Sinohydro, për autostradën Kërçovë-Ohër nga kryeministri Kovaçevski dhe zëvendësi i tij Artan Grubi, përfaqësuesit kinezë zhvilluan takim urgjent me autoritetet maqedonase, të cilët, për të katërtën ditë heshtin, se sa do t ‘i kushtonte shtetit ndërprerja eventuale e marrëveshjes, shkruan Alsat.
Pyetëm si Qeverinë ashtu edhe Ndërmarrjen Publike, Rrugët Shtetërore, por nuk morëm përgjigje. Përndryshe, në Marrëveshjen me Sinohydro, nga data 24.10.2013, në pikën 20, thuhet se vendi për kapërcimin e kontesteve është Gjykata e Parisit.
Marrëveshja me Sinohydro skadon më 31 dhjetor të këtij viti. Ky është afati i caktuar për përfundimin e rrugës, por a do të shtyhet do të vendoset nga Kuvendi. U përpoqëm gjithashtu të merrnim një qëndrim nga Sinohydro, por askush nuk iu përgjigj telefonatave. Ekspertët dyshojnë se jo vetëm shteti, por edhe kompanitë nënkontraktuese do të humbnin shumë nga ndërprerja e kontratës.
“Çfarë do të ndodhë nëse deputetët tanë nuk miratojnë zgjatjen e afatit ligjor? Këtu bien automatikisht garancitë bankare të Sinohydros, dhe Sinohydro tërheq garancitë bankare të kompanive tona. Kompanitë tona kanë rreth 50 milionë euro garanci bankare, këto mjete do të bllokohen. A ka gjetur, dhe a po shqyrton qeveria jonë ndonjë mekanizëm, për të mbrojtur kompanitë tona nga efekti i garancive bankare?”, tha Ilios Vilos – Profesor i Fakultetit Teknik.
Kontraktori thotë se ky projekt që në fillim hasi në probleme. Palët duhej të uleshin në tryezë dhe analizonin se si qëndrojnë gjërat që në fillim.
“Kemi ripunuar të gjithë rrugën me projektin e rehabilitimit dhe rikonstruksionit. I kemi ndryshuar të gjitha elementet. Në pjesët ku mund të përshtatej, ndodhën deformime, pasi ishte një projekt i bërë nga viti 2002 deri në vitin 2008. Në pjesët ku kishte kushte për të përdorur diçka, ato nuk plotësonin kriteret e projektimit”, theksoi Branko Volçevski – mbikëqyrës.
Për shkak të gjeologjisë së terrenit, ata presin që edhe pas përfundimit të rrugës, të ketë probleme në pjesë të rrugës në të ardhmen.
Deri më tani, 72 për qind e projektit është realizuar, dhe për ndërtim u harxhuan 600 milionë euro, që filloi në vitin 2014. / Alsat.mk