Takimi i Kurtit me përfaqësuesit e policëve, Zeqiri: Ishte i pranueshme edhe për Sindikatën
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se e vlerëson kontributin e të gjithëve për arritjen e një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, që të ketë një takim me përfaqësuesit e policëve.
Zeqiri tha se ulja në tryezë për të biseduar me qeverinë rreth kërkesave të policisë ishte e pranueshme edhe për Sindikatën e Policisë së Kosovës.
“Definitivisht kjo kërkesë ka qenë edhe e sindikatës që kemi kërkuar që të ulemi në tavolinë, t’i bisedojmë dhe t’i vendosim prioritetet për kërkesat dhe pakënaqësitë që janë në Policinë e Kosovës në përgjithësi”, tha ai për Klan Kosova.
Më tej, Zeqiri tha se beson që pjesë e takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, të jenë edhe zyrtarët e sindikatës, pasi siç tha ai, Sindikata e Policisë së Kosovës i pranon të gjitha kërkesat dhe pakënaqësitë e të gjitha njësive policore.