Bota

NATO dënon tërheqjen e Moskës nga një traktat kyç i pas Luftës së Ftohtë

Shpërndaje

NATO dënoi të martën vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë, një marrëveshje kyçe e pas Luftës së Ftohtë.

Si përgjigje ndaj këtij zhvillimi aleanca njoftoi se do të pezullonte detyrimet e saj në kuadër të traktatit.

Rusia u tërhoq zyrtarisht nga traktati i sigurisë, që përcaktonte kufizime mbi kategoritë kryesore të armëve konvencionale, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për minimin e sigurisë me zgjerimin e aleancës ushtarake të NATO-s.

“Aleatët dënojnë vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë (CFE) dhe agresionin e saj kundër Ukrainës, që është në kundërshtim me objektivat e Traktatit”, thuhej në një deklaratë të NATO-s.

“Vendimi i Rusisë është veprimi më i fundit i saj në drejtim të minimit sistematik të sigurisë euroatlantike”, thuhej më tej në deklaratë.

“Për pasojë, vendet aleate synojnë të pezullojnë funksionimin e traktatit për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në përputhje me të drejtat e tyre sipas ligjit ndërkombëtar. Ky është një vendim i mbështetur plotësisht nga të gjithë aleatët e NATO-s“.

Shtetet e Bashkuara thanë se do të pezullonin detyrimet në kuadër të traktatit duke filluar nga 7 dhjetori.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe tërheqja e saj prej traktatit “ndryshojnë rrënjësisht” rrethanat që lidhen me të (traktatin) dhe transformojnë detyrimet e pjesëmarrësve në të”, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Rusia pezulloi pjesëmarrjen në traktat në vitin 2007 dhe në vitin 2015 njoftoi synimin e saj për t’u tërhequr plotësisht prej tij.

Sullivan tha se pavarësisht mospërfilljes së vazhdueshme të Moskës për kontrollin e armëve, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, mbeten të përkushtuar ndaj kontrollit efektiv të armëve konvencionale.