Rajoni

“Nuk e kontrolloj unë SPAK-un” Rama: Ka rënë përfundimisht miti i personit të paprekshëm, PS solli reformën në drejtësi

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në Shqipëri ka rënë përfundimisht miti i personit të paprekshëm.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Pogradec, Rama u shpreh se, “drejtësinë ne e kemi pasur ambicien tonë më të lartë dhe kemi bërë përpjekje për të bërë Reformën në Drejtësi që kur ishim në opozitë. Dhe kur kemi qenë në opozitë, i kemi propozuar qeverisë së asaj kohe me dokumente të shkruara që të bënim një pakt kombëtar për drejtësinë dhe i kemi propozuar të bënim një reformë në drejtësi”.

Rama u shpreh se, ka pasur diskutime kur është bërë programi i PS për ta pasur reformën në drejtësi dhe shtoi kreu i qeverisë, “ja ku jemi sot që është në sytë e të gjithëve që drejtësia po merr një pamje tjetër.

“Ka shumë gjëra që nuk shkojnë në nivelin e prokurorive dhe gjykatave të rretheve, por po ndodh diçka që nuk ka ndodhur që nga themelimi i shtetit shqiptar, që nga 1912-a”, tha Rama.

“Nuk ka bërë vaki që në Shqipëri të funksionojë një trup drejtësie që nuk pyet as kush je, as se me kë je, as sa lart je, apo as sa nga lart je mësuar t’i shohësh të tjerët dhe të kërkon të paraqitesh”, theksoi Rama.

“Thonë disa se drejtësinë e kontrollojmë ne. Pse e thonë? Sepse nuk është mësuar njëri këtu, sidomos nga ata që kanë pasur, kanë pushtet që të funksionojë kështu, prandaj e thonë. Sepse kështu ka funksionuar, gjithmonë kur kanë qenë ata në pushtet që drejtësia ishte farsë, komplet, e telekomanduar. Sot nuk është”.

Rama tha se, në Shqipëri ka rënë përfundimisht miti i personit të paprekshëm.

“Natyrisht që ka plot gjëra që mund t’i diskutojmë. Ka gjëra me të cilat mund të jemi dakord. ka gjëra me të cilat mund të mos jemi dakord. Por ky është fakt. Në Shqipëri ka rënë përfundimisht miti i personit të paprekshëm. S’ka më asnjë person të paprekshëm. Dhe kjo si erdhi? Erdhi nga qielli. Janë disa që thonë e solli Amerika. Po si e solli Amerika, me aeroplan? Këtë e ka sjellë vetëm një forcë mbi tokë, që është PS”, theksoi Rama.

PS ka qenë e vetmja forcë politike që qysh në lindjen e saj ka pasur prirje të mendojë për shtetin.

“Të mos harrojmë, PS e ka pasur gjithmonë, qysh në lindjen e saj prirjen për të menduar më shumë për shtetin se sa ç’e kanë pasur gjithë forcat e tjera politike”, tha Rama.

Kryeminsitri nënvizoi se, “nga të gjitha gjërat bërë në këto 30 e kusur vite nga të tërë, kjo e reformës në drejtësi është gjëja më e madhe dhe këtë ia ka dhënë shqiptarëve. Për pjesën tjetër nuk ia vlen fare të humbasim kohë”.