RajoniTop Lajme

Rama e Kurti festojnë bashkë Pavarësinë. Dy Kryeministrat në Vlorë për Ditën e Flamurit

Shpërndaje

Ceremonia e ngritjes së flamurit kuqezi në Vlorë dhe homazhet në nderim të dëshmorëve dhe heronjve kombëtarë bënë bashkë politikën shqiptare të Tiranës dhe Prishtinës.

Edi Rama dhe Albin Kurti, bashkë me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla u bënë bashkë në ceremoninë e 111 vjetorit të Pavarësisë. Marrëdhëniet mes dy kryeministrave kanë qenë të tendosura muajt e fundit, që kur Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka dorëzuar në Berlin e Paris një propozim për themelimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë dhe më pas me propozimin që KFOR-i të marrë në dorë sigurinë në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist serb në Banjskë.

Të dy propozimet u mënjanuan nga Albin Kurti, ndërsa zyra e tij e shtypit njoftonte se ato nuk ishin konsultuar me të.

Mbërritjen e tij në Vlorë kryeministri Kurti e paralajmëroi në ekspozimin e pajisjeve dhe armatimit të FSK-së ku u shpreh: “Festojmë 28 Nëntorin që e shënojmë në kujtim të trinisë, të flamurit të kuq me shqiponjën dy krenare të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë, e të Adem Jasharit në Prekaz.”

111 vjetori i pavarësisë rezervon një axhendë speciale festimesh. Në orën 10 në sheshin e flamurit do të mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit, ku të pranishëm do të jenë zyrtarë të lartë të vendit. Gjatë drekës do të zhvillohet parada e tradiave dhe në mbrëmje Folk Fest në Sheshin Skënderbej.

Ndërkohë për herë të parë në kryeqytet, zhvillohet “Parada e shqiptarëve”, ku në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të mblidhen shqiptarë nga të gjitha qytetet shqipfolëse të rajonit. Parada organizohet në bashkëpunim me “Albanian Roots”, e cila pas 15 vitesh organizimi në Neë York, e rikthen Paradën aty ku janë rrënjët e saj, në Shqipëri.