Maqedoni

Lëvizja BESA: Masat anti-krizë të Qeverisë – për ministrat 2500 euro rrogë, për qytetarët 1000 denarë ndihmë!

Shpërndaje

As edhe një gram ndjenjë njerëzore nuk ka mbetur tek ministrat e BDI-LSDM-së dhe aleatëve të saj. Këtë më së miri e dëshmojnë masat kundër krizës të cilat Qeveria i solli ditë më parë. Këto masa, në esencë nuk përbëjnë asnjë ndihmë reale, thjesht janë një përpjekje klasike për manipulim të qytetarëve, në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në maj të vitit të ardhshëm.

Kur bëhet fjalë për rritje të rrogave të tyre, ministrat e BDI-së, LSDM-së dhe gjithë partnerëve të Qeverisë, ata i rritën pagat e tyre për 78% dhe pagat e tyre arrijnë deri në 2.500 euro, ndërkohë që pensionistëve, studentëve dhe nxënësve do t’u ofrohet një ndihmë qesharake prej 1.000 denarësh të cilat janë të pamjaftueshme për nevojat e tyre.

Andaj, këtyre zhvatësve të qytetarëve, po ua bëjmë me dije, se nëse ata janë të aftë që qytetarët për ditë ti rrjepin dhe varfërojnë, ne shumë lehtë do ua shfaqim realitetin dhe krimin e tyre. Nga masat kundër krizës, pensionistët dhe studentët për shtatë muaj do të përfitojnë rreth 7.000 denarë, por ama, për të njëjtën periudhë kohore, funksionarët do të marrin mbi 1 milion denarë, falë rritjes së pagave që ia bënë vetvetes. Është e qartë se me këto ndihma, Qeveria përpiqet ti korruptojë qytetarët para zgjedhjeve.

Kjo nomenklaturë vazhdon me politikat nënvlerësuese ndaj pensionistëve, studentëve dhe gjithë qytetarëve.

Në vend të rritjes dinjitoze të pensioneve, pagave, bursave dhe shujtave të studentëve, Qeveria BDI-LSDM dhe satelitët e tyre, qytetarëve u jepin vetëm thërrime ndërsa vetë hanë dreka e darka dhe dëfrehen nëpër restorante luksoze, gjithmon në llogari të qytetarëve. BDI-në dhe LSDM-në i ka kapur panika nga humbja në zgjedhje, e për të shpëtuar karriget e tyre luksoze, pagat e majme dhe tenderët milionëshe, bëjnë veprime fyese ndaj qytetarëve, duke tentuar që me nga 1000 denarë ndihmë të manipulojnë.

Por qytetarët tashmë e kanë kuptuar se kjo është vetëm një përpjekje parazgjedhore për korruptim dhe nuk do t’u japin mundësi këtyre politikanëve të tvazhdojnë të pasurohen edge për katër vite të tjera.