Pjesëtarë të Njësisë së Posaçme të Policisë së Kosovës protestojnë para qeverisë për kushte më të mira të punës
Pjesëtarë të Njësisë së Posaçme Ndërhyrëse të Policisë së Kosovës dhe njësitë tjera, protestuan të shtunën para ndërtesës së qeverisë së Kosovës, me kërkesën për kushte më të mira të punës
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, paraqiti 14 kërkesa që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve për pjesëtarët e policisë.
“Veshmbathje, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore, duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete si dhe pajisje të tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë”, tha zoti Zeqiri.
Kjo është protesta e dytë brenda dyzet ditëve të këtyre njësive të cilët po ashtu kërkojnë rishikimin e pagesës për shkallën e rrezikshmërisë në punë.
Qeveria e Kosovës vendosi që njësive të Posaçme Ndërhyrëse t’u ndajë nga 150 euro shtesë për shkak të rrezikshmërisë. Por, kjo shtesë po kundërshtohet duke kërkuar që të rritet shuma dhe të rivlerësohen kategoritë e rrezikshmërisë.
“Rrezikshmeria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe të mos varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmërinë në punë të jetë 25 deri në 50 për qind e pagës bazë”, tha zoti Zeqiri.
Ministri i Punëve të Brandshme, Xhelal Sveçla tha se qeveria e Kosovës është e përkushtuar në përmirësimin e kushteve të punës për policinë dhe sipas tij që nga marrja e mandatit është rritur buxheti për 30 për qind. Ai shkroi në rrjetet sociale se tashmë është shtruar një rrugë e drejtë dhe e sigurtë e ndryshimit të gjendjes së sigurisë në vend dhe kjo rrugë nuk ka më kthim mbrapa. “Kushdo që në çfarëdo forme, për interesa personale apo grupore tenton të përdorë situata të ndryshme me qëllim të zbehjes së këtyre angazhimeve është i predispozuar që të dështojë”, shkroi ai.
Pjesëtarë të Njësisë së Posaçme Ndërhyrëse janë të specializuar dhe certifikuar për luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve, rastet ku cenohet siguria kombëtare dhe ndërhyrje ku rrezikshmëria vlerësohet të jetë tejskajshme.