Ministria e Financave nuk do të vendos më për punësime nëpër institucione
Punësimi në sektorin publik do të bëhet me një procedurë të re nga 1 janari.
Nëse kjo votohet në kuvend me Ligjin për Buxhetin javës tjetër institucionet nuk do të kenë nevojë për firmën e ministrit të Financave për punësimin në sektorin publik. Çdo përfitues buxhetor do të duhet të bëjë një plan vjetor punësimi, shkruan Alsat.
Ai plan do të duhet të miratohet nga një institucion kompetent, për shembull një ministri, një këshill komunal dhe qeveria do të vendosë për një ndërmarrje shtetërore që është duke punuar me humbje.
Nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se nga viti i ardhshëm nuk do të duhet më pëlqim për paga, por do të decentralizohen procedura, duke hequr barrën nga veti. Ministri Fatmir Besimi tha se nuk do të ketë më intervenca punësimi me mik duke i lënë fajin Ministrisë se nuk po jep para për punësime të reja.
“Kemi drejtorë e ministra, të cilëve iu shkojnë shokë apo të tjerë nga partia dhe ju thonë se duan të bëjnë punësime se i kanë shumë me rëndësi. Ata u premtojnë se për momentin nuk kanë mundësi por do tu drejtohemi Ministrisë së Financave, por ne iu kërkojmë tabela se sa kanë të paraparë buxhet për ato punësime. Aty jepen deklarata me përgjegjësi të plotë morale dhe penale se të dhënat janë të sakta, por vet propozuesit tregojnë se nuk kanë buxhet, por na drejtohen neve duke pritur t’ua zgjidhim problemin. Ne në bazë të atyre të dhënave iu shkruajmë se nuk kemi mjete buxhetore, kurse ata justifikohen që nuk jep pëlqim Ministria e Financave. Ka pasur raste që në telefon më janë paraqitur duke me thënë se prej 10 që kam kërkuar pëlqim vetëm dy janë të rëndësishëm”, tha Fatmir Besimi, Ministër i Financave.
Secili ministër dhe drejtor të institucioneve shtetërore e ndërmarrjeve publike do duhet të nënshkruajë një deklaratë në Agjencinë e Punësimit se janë paraparë para për ato punësime brenda vitit.
Deklarata do të jetë baza që në rast të keqpërdorimeve të detektohet më lehtë përgjegjësi dhe të ndiqet penalisht për shpërdorim të detyrës zyrtare. Kjo reformë në punësimin e sektorit publik pritet ti jep zgjidhje edhe 993 të punësuarve shëndetësor që janë me kontratë në vepër dhe të 611 specializantëve privat. Në këtë çështje Besimi tha se ka pasur takim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Fondin Shëndetësor.
“Politika e Qeverisë është që të plotësohen kuadrot që janë pensionuar në shëndetësinë publike dhe nuk do të mund të krijojmë vende të reja të punës. Aktualisht nga 993 me kontratë në vepër, vetëm gjysma e punonjësve shëndetësor do të mund të marrin vendime, përkatësisht 502 në nivel vendi. Ndërsa nga specializantët privatë pritet që të na japin raport për sa specialistë kanë nevojë institucionet shëndetësore rajonale, nga afër 100, të cilët diplomojnë sivjet maksimumi që mund të punësojmë do jenë gjysma”, u shpreh Fatmir Besimi, Ministër i Financave.
Por ky decentralizim mund të jep duart e lira institucioneve vet të punësojnë sa të duan, administratë publike për punësime partiake. Kur jemi pranë zgjedhjeve të dyfishta akoma sa lejon ligji para fushatës, një numër i madh i institucioneve shtetërore, nga ministritë e deri te ndërmarrjet publike, kanë shpallë konkurse për punësimin e administratorëve.