SHBA, fjalimi i presidentit Biden u ndërpre nga protesta pro-Palestinës
Fjalimi i presidentit amerikan, Joe Biden, në një takim zgjedhor ku ai mori pjesë, është ndërprerë disa herë nga protestuesit pro-palestinezë me brohoritjen “ndaloni financimin e gjenocidit”, raporton Anadolu.
Presidenti Biden u akuzua për “mbështetje të gjenocidit të Izraelit kundër civilëve” në Rripin e Gazës nga një grup aktivistësh në rajonin Manassas në Virginia, të cilin ai e vizitoi pas fillimit të zgjedhjeve paraprake.
Protestuesit pro-palestinezë e ndërprenë 9-10 herë fjalimin e presidentit Biden me protestat e tyre dhe penguan rrjedhën e fjalimit të presidentit amerikan me sloganet “ndaloni financimin e gjenocidit”.
Protestuesit të cilët u nxorën jashtë nga stafi i sallës, vazhduan të brohorasin slogane pro-Palestinës edhe gjatë largimit të tyre.
Edhe demonstruesit e tjerë që protestuan jashtë fushatës së presidentit Biden, u shprehën se Izraeli ka vrarë në Gaza 29 mijë persona dhe se kjo nuk mund të shpjegohet me justifikimin e “vetëmbrojtjes”.
Grupi protestues u mblodh përballë Qendrës së Ekspozitës së Arteve Hylto, ku Biden mbajti fjalimin zgjedhor. Ata mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Vetëm shoqëritë e sëmura bëjnë gjenocid”, “Taksat tuaja po vrasin fëmijë në Gaza”, “Armëpushim tani menjëherë” dhe “Joe gjenocidal, duart e tua janë të përgjakura”.
Protestuesit gjithashtu përpara ndërtesës ku Biden po mbante fjalimin vendosën kukulla lodra, veshjet e tyre të lyera me ngjyrë te kuqe dhe shishe plastike me lëngje në ngjyrën e gjakut.
Aktivistët e përbërë kryesisht nga gratë, për një kohë të gjatë brohoritën slogane dhe pritën me flamuj palestinezë pronarët e automjeteve që vinin për të dëgjuar presidentin Biden.
Po ashtu protestuesit, me një pankartë të madhe që hapën, tërhoqën vëmendjen mbi nevojën për ndalimin e plotë të ndihmave të jashtme që SHBA-ja kryen për Izraelin, si dhe u shprehën se në të kundërtën “nuk do të votojnë Partinë Demokrate”.