MaqedoniTop Lajme

Ali Ahmeti: Dita e madhe erdhi! Kemi Talat Xhaferin si Kryeministër të parë shqiptar!

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka shkruar në faqen e tij zyrtare në Facebook se me zgjedhjen e Talat Xhaferit si Kryeministër shqiptar u shënua datë dhe ventim historik.

Ahmeti në një përshkrim kronologjik ka bërë krahasimin e shqiptarëve të një periudhe para tri dekadave dhe shqiptarëve sot, që siç ka shkruar ai, Marrëveshja e Ohrit ju dha shqiptarëve tapinë e këtij shteti, për bashkëqeverisje dhe shtetformim.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë, vëllezër e motra,

Dita e madhe historike për të cilën punuam të gjithë bashkë, ERDHI! Nga sot vendi ynë ka Talat Xhaferin, si Kryeministër të parë shqiptar!

Rrugëtim të gjatë e të mundimshëm kemi bërë si popull për ta fituar atë që na takon ndër shekuj, pa pretenduar asnjëherë për të huajën, andaj është plotësisht legjitim gëzimi ynë i sotëm për këtë të arritur të madhe që dikur as nuk mund të imagjinohej.

Dikur në shtëpinë tonë na mohohej gjuha, arsimimi, punësimi nëpër institucione, na torturonte e shtypte pandalë sistemi i atëhershëm shtetëror, ndërsa sot po jetojmë barazinë si vlerë demokratike që e bënë këtë vend më të mirë dhe në prag të dyerve të Europës.

Marrëveshja e Ohrit ju dha tapinë shqiptarëve që të jenë dalzotës në shtëpinë e tyre.

Nga viti 2001 e këndej kemi thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, dëshmuam potencialin tonë si popull në drejtimin e shtetit tonë në çdo pozitë institucionale dhe u treguam vendimtarë në ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit.

Jam i bindur se Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të jenë vazhdimësi e punës progresive që kemi bërë deri më tani, gjithmonë në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të përkushtuar për reformimin e tij në frymën europiane.

Përcjell urimet e mia më të sinqerta deri te Talat Xhaferi, anëtarët e kabinetit të tij qeveritar dhe ju uroj punë të mbarë në sfidat që i presin gjatë kësaj periudhe të qeverisjes.

Bashkë le të prijmë proceset jetike për të ardhmen tonë progresive, t’i themi JO Rusisë, PO Europës!